Prishtina zyrtare është në kontakt të vazhdueshëm me shefen e diplomacisë europiane, Catherine Ashton dhe zyren e saj, për hapat e mëtejshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Kështu ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dy ditë pasi Serbia i tha jo propozimit të ndërmjetësueses së dialogut, baroneshës Ashton.

Ai ka përsëritur gjatë mbledhjes së qeverisë se Prishtina do të angazhohet për të përmbyllur proçesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Prishtina do të angazhohet maksimalisht që ta përmbyllë këtë proçes në bazë të përkushtimeve të saj, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për çka jemi në kontakt të vazhdueshëm me baroneshën Ashton”, ka deklaruar Thaçi.

Më tej, kryeministri ka thënë se propozimet e baroneshës Ashton ishin në funksion të paqes, europianizimit të rajonit dhe shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon.

“Tashmë Kosova ka bërë një varg kompromisesh që punuan në pakon e Ahtisarit, po ashtu edhe gjatë tërë këtij proçesi qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Qeveria mbetet e përkushtuar në këtë proces dhe beson se dialogu është zgjidhja e vetme”, ka theksuar Thaçi.

Këto komente kryeministri i bëri në mbledhjen e qeverisë gjatë së mërkurës, ndërsa falënderoi edhe një herë SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme dhe qëndrimin e përbashkët të vendëve të BE-së gjatë proçesit të dialogut.

Top Channel