Opozita në Kosovë ka kërkuar nga qeveria që mos ta çojë proçesin e dialogut deri në pafundësi, pavarësisht gatishmërisë së shprehur për të punuar për fqinjësi të mirë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare, megjithatë kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mundësisë së një takimi tjetër ndërmjet krerëve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportimeve të “RTK”, Vjosa Osmani, deputete e LDK-së nuk sheh problem nëse shkohet edhe me një raund të fundit, por thotë se ky proçes nuk mund të shkojë në pafundësi.

“Nëse është treguar përkushtim për një kohë shumë të gjatë, atëherë nuk ka arsye që një takim më shumë të mos bëhet. Megjithatë, kurrësesi të mos lejohet që ky proçes të shkojë në pafundësi, sepse më së shumti po dëmtohet Kosova nga një paqartësi e tillë”, ka thënë Osmani.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini thotë se tema e veriut nuk duhet ta frikësojë Kosovën, por nuk duhet të lejohet përpjekja e Serbisë që përmes pakicave të kushtëzojë politikën e Kosovës.

“Për temën e veriut të Kosovës, Kosova nuk duhet të frikësohet prej të drejtave që iu ka dhënë serbëve përmes planit të Ahtisarit. Mirëpo, ajo duhet të ketë kujdes që të mos lejojë që përmes pakicave vendet fqinje të provojnë të kushtëzojnë politikën tonë. Kjo është e patolerueshme në Kosovë”, ka thënë Gjini.

Nga ana tjetër, Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Kosova ka një shans të fuqishëm që ta shpallë të mbyllur dialogun me Serbinë dhe në veri të vendit të zbatojë ligjin sipas një strategjie të re.

“Vazhdimi i dialogut ka vetëm një kuptim, që propozimet e Kosovës dhe të BE-së të afrohen më shumë me ato të Serbisë. Prandaj unë mendoj se Kosova në këtë rast ka një shans shumë të madh që ta shpallë të mbyllur këtë dialog”, ka thënë Konjufca.

Top Channel