Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, qëndroi të martën në Shkup, për të inspektuar reformat, që dalin nga dialogu paraprak për anëtarësimin e vendit në BE dhe për të finalizuar raportin e jashtëzakonshëm të Komisionit Europian për Maqedoninë, që do të publikohet më 16 prill.

Më këtë rast, ai porositi të gjitha forcat politike të mbeten të përkushtuara në axhendën europiane të vendit dhe ky proces të mos bëhet peng i betejave të tyre politike.

“Sa i përket raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë, dua të them se informacionet e fundit, që i morëm në takimet e sotme, do të ndikojnë që të bëhet azhornimi i fundit i dokumentit, që do të publikohet të martën e ardhshme. Prandaj është e rëndësishme pika e tretë, që është zbatimi i marrëveshjes së 1 marsit, me të cilën u kapërcye kriza e fundit politike në vend. Politikanët e krijuan krizën dhe ata kanë përgjegjësi t’i tejkalojnë efektet e saj, përmes zbatimit të kësaj marrëveshjeje, gjë që deri tani nuk e kanë bërë”, u shpreh Stefan Fule, komsioneri i BE-së për zgjerim.

Zyrtari i lartë europian i bëri me dije kryemnistrit Gruevski se, me rëndësi të veçantë për integrimin e vendit është edhe liria e mediave, ndërsa bëri thirrje që qeveria të vazhdojë dialogun me gazetarët rreth ligjit për mediat.

Kryeministri maqedonas, para diplomatit europian, tha se integrimi i Maqedonisë do të mbetet prioritet i qeverisë, ndërsa u shpreh i kënaqur nga përparimi i bërë në kuadër të dialogut të lartë me Komisionin Europian.

“Maqedonia dëshiron ta materializojë mundësinë për fillimin e negociatave në qershor, në partneritet me Komisionin Europian. Kemi rezultate solide dhe argumente për një raport e vendim pozitiv për vendin, në Samitin e qershorit të Bashkimit Europian”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Përshtypje jo të mirë, nga vizita në Shkup, zyrtarit të lartë europian i ka lënë një debat i ashpër mes deputetëve maqedonas për zgjedhjet dhe për ngjarjet e 24 dhjetorit, që u zhvilluan në një komision parlamentar, ku Fule mbajti një fjalim.

Top Channel