Kërcënimi i Penianit, rajoni në alarm

10/04/2013 00:00

Raportimet nga agjencitë e inteligjencës dhe përhapja e lajmit se Koreja e Veriut po përgatitet për të kryer testin e katërt bërthamor, kanë vënë në alarm, jo vetëm Korenë e Jugut, por edhe vende të tjera fqinje me vendin komunist.

Seuli rriti nivelin e gadimshërisë pas lëvizjeve të fundit të Penianit. Shërbimet e inteligjencës nga Seuli por edhe nga Shtetet e Bashkuara besojnë se të paktën një mbushje bërthamore e vendosur në një raketë me rreze 3 mijë kilometra është përgatitur për t’u lëshuar në njërën nga bazat bërthamore në brigjet lindore të Koresë së Veriut.

Në orët e para të së martës, në kryeqytetin japonez u panë të lëviznin sistemet anti-raketë të pajisura me Patriot 3. Pamjet tregojnë mjetet ushtarake që u vendosën në periferi të vendit në drejtim gjeografik nga Koreja e Veriut.

Tokio është 1287 kilometra larg Peniani dhe do të duheshin më pak se 10 minuta që një raketë e lëshuar nga Peniani të mbërrijë në kryeqytetin japonez, në rastin më të keq; atë të lëshimit të saj. Edhe Seuli është në rrezen e veprimit të raketave të vendit komunist, megjithëse analistët ulin shkallën e kërcënimit. Sipas tyre, sulmet e Penianit do të neutralizoheshin menjëherë nga sistemet anti-raketë amerikane, koreano-jugore dhe japoneze në rajon dhe kundërpërgjigjja do të ishte e ashpër.

Në Uashington mendojnë se testimi do të kryhet pa paralajmërim, ndryshe nga herët e tjera kur njoftohet flota tregtare dhe autoritete të tjera civile që të shmangin lundrimet në zonat ku mund të preken nga rrezja e shpërthimit.

I cituar nga mediat ndërkombëtare, një zyrtar në Uashington thotë se lëshimi i raketës për testin e katërt bërthamor të Koresë së Veriut është thuajse i pashmangshëm.

Tensionet në Gadishull janë përshkallëzuar pas vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të ashpërsuar sanksionet ndaj vendit komunist pasi ky i fundit kreu testin e tretë bërthamor, pak javë më parë.

Vendimi i KS-së shkaktoi reagimin e Penianit që përshkallëzoi gjuhën kërcënuese ndaj Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, mbylli kufirin duke prishur një pakt të arritur vite me parë me Seulin për një zonë të lirë industriale në kufirin mes dy vendeve, si dhe kërkoi largimin e diplomatëve të huaj nga vendi me arsyen se nuk garantonte dot sigurinë e tyre në rast lufte.

Top Channel