AI: Dënimi me vdekje? Diçka e së kaluarës

10/04/2013 04:35

Trendi i heqjes së dënimit me vdekje vazhdon, pavarësisht se disa vende rikthyen dënimin me vdekje në 2012-n, bën të ditur “Amnesty International”.

Ekzekutimet në Indi, Japoni, Pakistan dhe Gambia përbëjnë një regresion zhgënjyes, thekson AI. Por, në vende të tjera, dënimi me vdekje konsiderohet “si diçka e së kaluarës”, tha Sekretari i përgjithshëm, Salil Shetty.

Pesë vendet, që kanë kryer më shumë ekzekutime mbeten Kina, Irani, Iraku, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara. AI nënvizon një rritje “alarmante” në përdorimin e ndëshkimit me vdekje në Irak, me pothuajse dyfishin e numrit të të ekzekutuarve në vitin e fundit, krahasur me 2011-n: nga 68 në të paktën 129.

Sa i përket vendeve të tjera të pesëshes kryesore, grupet e të drejtave të njeriut kanë deklaruar të paktën 314 ekzekutime në Iran në 2012, të paktën 79 në Arabinë Sauditë. SHBA-të kanë dhënë 43 dënime me vdekje, i njëjti numër si në 2011-n, por në më pak shtete se më parë.

Gjithsesi, nuk ka statistika të sakta për Kinën, ku numri i dënimeve me vdekje mbetet sekret, por ku grupet e të drejtave të njeriut besojnë se janë me mijëra të ndëshkuarit, më shumë se sa në të gjithë botën (pa Kinën) së bashku.

Raporti njofton se ka patur progres në heqjen e dënimit në të gjitha rajonet e botës, pavarësisht një numri vendesh, që e kanë rikthyer, pas njëfarë periudhe pa këtë dënim.

India ka dhënë vendimin e parë me vdekje, që prej 2004-s, për të mbijetuarin e vetëm të sulmit në Mumbai, në 2008-n.

Indonezia, ku një grua britanike, Lindsay Sandiford, përballet me dënimin me vdekje për trafik narkotikësh, ka dhënë kështu të parin vendim për ekzekutim, në më shumë se 4 vite.

Top Channel