Tre javë pasi është hapur shkolla e gjuhës shqipe në qytetin e Kavalës, dhjetëra anëtare të partisë neonaziste Agimi i Artë kanë protestuar para ndërtesës që ka ofruar bashkia e këtij qyteti për fëmijët e emigrantëve shqiptare duke mbajtur flamuj dhe pankarta në duar e duke bërtitur “Jashtë të huajt nga Greqia”.

Më pas ata janë grumbulluar para bashkisë kësaj here duke hedhur parrulla kundër kryetarit të saj Konstandinos Simitsis për vendimin e tij në dhënien falas të një ambienti të bashkisë për mësimdhënien e gjuhës shqipe.

Në vazhdim ata kanë marshuar në rrugët e qytetit duke shpërndarë postera në të cilat informonin qytetarët për ekzistencën e kësaj shkolle në Kavala.

Kryebashkiaku i këtij qyteti 70.000 banorësh ku jetojnë më shumë se 9000 emigrantë shqiptarë ka deklaruar në ditën e hapjes së shkollës shqipe, në prezencë edhe të konsullit shqiptar në Selanik, se e konsideron integrimin e emigrantëve cështje parësore për organet vendore dhe mësimin e gjuhës së tyre amëtare, një të drejtë të pamohueshme.

Duke iu përgjigjur ekstremistëve të Agimit të Artë ai ka deklaruar se nuk ka frikë nga kërcënimet, se shkolla shqipe do të vazhdojë të funksionojë dhe se është krenar për vendimin e hapjes së saj, që është mbështetur edhe nga Ministria greke e Arsimit, si një politikë për t’u dhënë edukimin përkatës të gjithë atyre që ndodhen në territorin e Greqisë.

Megjithëse sondazhet i japin Agimit të Artë vendin e tretë si forcë politike e vendit, në gjithë Greqinë, ka shumë qytete të vogla apo komuna, ku qytetarë, aktivistë për të drejtat e njeriut dhe forca politike të majta, janë organizuar dhe i kundërvihen pjesëtarëve të kësaj partie, tubimeve që ata zhvillojnë dhe ideve ekstremiste që ata përhapin.

Top Channel