Gati dy muaj, pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj, më 9 prill të vitit 2008 u miratua Kushtetuta e Parë e Kosovës, si shtet i ri, dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, është njëri nga hartuesit e këtij akti më të lartë juridik të Kosovës. Ai kujton se kjo ishte Kushtetutë themeluese, shtetkrijuese.

“E cila ka pasur një rol historik, sepse ka kompletuar shtetin e Kosovës, ka implementuar Pavarësinë e shpallur me deklaratën e Pavarësisë dhe ka rindërtuar bazat për ndërtimin e një shteti demokratik dhe kushtetues”, tha Prof. Dr. Arsim Bajrami.

5 vite që nga ajo kohë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës vazhdon të mos zbatohet në të gjithë territorin e vendit. Më së shumti, ajo mbetet e sfiduar në pjesën veriore të Kosovës. Sipas Bajramit, e meta kryesore është moszbatimi i saj, që, sipas tij, është një pengesë kryesisht e faktorit ndërkombëtar.

“… I cili nuk ka treguar vullnet politik, që të mundësojë shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës, veprimin e Kushtetutës së Kosovës por, për arsye të kalkulimeve politike, ka krijuar problemin e veriut dhe ende nuk është hartuar një zgjidhje. Aktualisht jemi duke pritur zgjidhjen, që del nga procesi i normalizimit, por nëse ky proces dështon, atëherë ka ardhur koha e fundit, që shteti i Kosovës të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare, nga KFOR dhe EULEX, që të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë në veri, për të mundësuar shtrimin e Kushtetutës tonë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”, tha Prof. Dr. Arsim Bajrami.

Asnjë aktivitet shtetëror nuk është mbajtur me rastin e “Ditës së Kushtetutës”. Përveç ditës së pushimit, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë mjaftuar që, përmes deklaratave, të urojnë qytetarët e Kosovës për këtë ditë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndër të tjera shkruan se “Shtrirja e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është garant i zhvillimit demokratik dhe i barazisë së të gjithë qytetarëve, si dhe është domosdoshmëri për të vënë bazat e shtetit ligjor të perspektivës afatgjate, duke ndikuar në stabilitetin e paqen në rajon”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mesazhin e tij, shkruan se: “Në këtë 5-vjetor, ritheksojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të respektohet dhe do të jetësohet plotësisht, në çdo cep të territorit të vendit tonë, dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë. Edhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, padyshim që do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Në anën tjetër, përveç pjesës veriore të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të paktën në dy raste, kur Kushtetuta është shkelur. Fillimisht ishte konstatuar se ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, e kishte shkelur Kushtetutën me mbajtjen e njëkohshme të postit të Presidentit dhe kryetarit të LDK-së. Ndërsa, në një rast tjetër, Kushtetuesja pati konstatuar se zgjedhja e Behgjet Pacollit, si president, nga Kuvendi ishte bërë, duke mos u respektuar Kushtetuta. Sidoqoftë, para miratimit të Kushtetutës, Kosova ishte qeverisur nga një Kornizë kushtetuese e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që i mundësonte Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes disa kompetenca të rezervuara, ndaj Përfaqësuesit Special të Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Top Channel