Një hetim i gjatë i prokurorëve ndërkombëtarë, për mënyrën se si janë kryer procedurat e tenderimit publik në Ministrinë e Transportit, bënë që politikani kosovar, Fatmir Limaj, të ulet në bankën e të akuzuarve për krim të organizuar dhe korrupsion.

Pretendimet e Prokurorisë, në gjykimin që filloi këtë të hënë, janë se Fatmir Limaj, si ministër i Transportit, bashkë me dy vëllezërit e tij, Demir dhe Florim Limaj, ish-shefin e kabinetit Endrit Shala dhe ish-shefin e prokurimit në Ministrinë e Transportit, Nexhat Krasniqi, në bashkëveprim kanë keqpërdorur paratë publike, gjatë dhënies së tenderave kompanive private, në këmbim të ryshfetit.

Sipas akt-akuzës, Limaj ka qenë udhëheqës i grupit kriminal dhe veprat penale janë kryer gjatë periudhës, që ai ishte ministër i Transportit në qeverinë e Kosovës.

“Fatmir Limaj, Florim Limaj, Demir Limaj, Nexhat Krasniqi dhe Endrit Shala e Florim Zuka, duke e njohur brishtësinë e strukturave administrative qeveritare, dhe duke besuar se lidhja e tyre me Fatmir Limajn do të parandalonte ndjekjen e tyre penale, kanë shfrytëzuar situatën pezull të Kosovës, në vitet e para pas shpalljes së Pavarësisë, për të mbushur xhepat e tyre, duke kërkuar shuma të konsiderueshme ryshfeti. Të pandehurit e kanë ditur se institucionet e Kosovës nuk kanë mundur të luftojnë krimet e tyre dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, për të kryer vepra penale dhe për të maskuar e mbrojtur veprimet e tyre kriminale”, tha Robert Kucharski, prokuror i çështjes.

Seanca fillestare nuk kaloi pa përplasje, ndërmjet avokatëve dhe prokurorëve. Fillimisht pala mbrojtëse deklaroi se, akt-akuza e ngritur nga prokurori nuk është e ligjshme, pasi është ngritur jashtë afatit ligjor prej 24 muajsh. Një pretendim ky, i cili, po në këtë seancë, u hodh poshtë nga gjykata. Pala mbrojtëse kërkoi nga Prokuroria dorëzimin e shkresave të lëndës. Në këtë pikë, gjykata vendosi një afat kohor prej pesë ditësh, i cili detyron mbrojtjen, që të bëjë gati listën me dokumentet që u mungojnë, dhe prokurorinë të kthejë përgjigjen për to.

Avokatët mbrojtës e vlerësuan si të panevojshëm leximin e akt-akuzës në secilën pikë të saj, me arsyetimin se të pandehurit e kanë të njohur përmbajtjen. Por me insistimin e prokurorit, Gjykata vendosi që të lexohet akt-akuza. Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën, ku Prokuroria do të vazhdojë të lexojë pjesën e mbetur të akt-akuzës. Në këtë rast, deputeti kosovar Fatmir Limaj ka një ekip mbrojtës prej tre avokatësh; përvec Tomë Gashit dhe Tahir Rrecajt, pritet që të angazhohet edhe ndërkombëtari Karim Kan.

Top Channel