Korea, Japonia dislokon sistemet mbrojtëse

09/04/2013 00:00

Tensionet në gadishullin korean kanë detyruar Japoninë të dislokojë sistemet mbrojtëse ndaj raketave në 3 vende të ndryshme përreth Tokios, në orët e para të së martës, përpara një sulmi të mundshëm raketor nga Korea e Veriut, tha kryesekretari i Kabinetit, Yoshihide Suga.

Bateritë anti-raketore “Patriot” u vendosën në distriktin qendror të Ichigaya-s, dhe në periferitë e Asaka-s e Narashino-s, tha Suga për reporterët, gjatë së martës.

Dislokimi i tyre vjen në prag të paralajmërimeve të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, se Peniani mund të jetë duke u përgatitur për një tjetër lëvizje provokuese, pas retorikës irrituese të javëve të fundit.

Të hënën, Suga tha se qeveria nuk do të publikonte asnjë lëvizje taktike, në lidhje me dislokimin e sistemeve mbrojtëse anti-raketore, duke u shprehur vetëm se “kjo lëvizje do t’i tregojë strategjinë tonë Koresë së Veriut”.

Peniani: Të huajt të largohen nga Jugu

Korea e Veriut ka paralajmëruar të huajt në Korenë e Jugut që të ndërmarrin masa evakuimi në rast lufte. Apeli vjen në një moment kur janë rritur shqetësimet se Veriu mund të kryejë një test të ri raketash.

Peniani ka rritur së fundmi kërcënimet për aksione ushtarake ndaj Koresë së Jugut, Japonisë dhe bazave amerikane në rajon.

“Situata në gadishullin Korean po shkon drejt një lufte termo-nukleare. Në rast lufte, ne nuk duam që të huajt që jetojnë në Jug të lëndohen”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Në këtë komunikatë u bëhet thirrje të gjitha organizatave të huaja, kompanive dhe turistëve që të marrin masa evakuimi.

Të premten e kaluar Peniani paralajmëroi se nuk do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e stafeve të ambasadave në rast lufte.

Megjithatë, për momentin asnjë ambasadë nuk ka njoftuar se ka përgatitur plane evakuimi. Ambasada britanike dhe ajo ruse kanë thënë se aktualisht nuk kanë ndërmend të mbyllin misionet e tyre.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, që janë kërcënuar gjithashtu nga Peniani, kanë thënë se nuk ka shenja serioze për kërcënime ndaj qytetarëve amerikanë. 

Top Channel