Kinë, gripi i shpendëve, ende s’ka evidenca

09/04/2013 03:20

Kina ka njoftuar një tjetër rast të prekur nga gripi i shpendëve, gjatë së hënës, duke cuar numrin e të infektuarve nga H7N9 në 21 persona, ka bërë të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua.

Rasti më i fundit është konfirmuar në provincën lindore të vendit, Anhui, thuhej në median e mësipërme. 6 persona kanë vdekur deri më tani, 4 në Shanghai dhe 2 në Zhejiang, në lindje të Kinës.

Autoritetet kineze kanë vrarë më shumë se 20 mijë shpendë, në një zonë tregtare të pulave të gjalla, në Shanghai, në përpjekje për të ndalur përhapjen e infeksionit, ndërkohë që edhe qytetet e tjera përreth kësaj zone kanë njoftuar pezullimin e tregtisë së shpendëve.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me ministrin kinez të Shëndetësisë, në Pekin, gjatë së hënës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ritheksoi se burimi i këtij shpërthimi virusi është ende i papërcaktuar, por ata nuk kanë vënë re evidenca se virusi mund të transmetohet mes njerëzve.

“Raportet e fundit nga Kina janë ato të personave të parë të infektuar me virusin H7N9. Edhe pse nuk e dimë ende burimin e infeksionit, në këtë moment nuk kemi ndonjë evidencë thelbësore për transmetimin nga një individ te tjetri”, tha përfaqësuesi i OBSH-së, Michael O’Leary.

“Dimë në këtë moment se, në rastet e njohura humane, sëmundja është shumë serioze dhe në një përqindje të madhe të tyre njerëzit kanë vdekur, ose një pjesë e tyre kanë vdekur dhe të tjerë janë të sëmurë rëndë”.

“Disa prej rasteve të konfirmuara kanë patur kontakte me kafshë, ose me mjediset ku kanë qenë të strehuara ato. Virusi është gjetur në një pëllumb, në një treg të Shanghai-t. Këto të dhëna na japin indicie për transmetime nga kafshët te njerëzit, por për këtë po hetohet ende”.

Top Channel