Iran, tërmet pranë centralit bërthamor

09/04/2013 00:00

Tërmeti 6,3 ballësh i shkallës Rihter, që goditi jugperëndimin e Iranit, shkaktoi gati 40 të vdekur e 850 të plagosur, por e la të paprekur centralin bërthamor të Buhsherit, ku puna vazhdon si normalisht.

Zona e tërmetit përfshin rreth 50 fshatra, ku besohet të jetojnë rreth 10.000 vetë. Në rajon u dërguan një sërë ekipesh shpëtimi, por errësira i ka vështirësuar operacionet e tyre.

Lëkundjet e tokës u ndjenë edhe në Dubai, Abu Dhabi e Bahrein. Sipas autoriteteve iraniane, epiqendra e tërmetit ka qenë 10 km në thellësi të tokës shumë pranë Buhsherit, qyteti port që strehon kompleksin e parë bërthamor të Iranit.

Tërmeti u ndje në orën 16:22 me orën lokale (13:52 me orën tonë) dhe fuqia e tij u përllogarit në 6.3 të shkallës Rihter, sipas Institutit Amerikan të Gjeofizikës.

Tërmeti u ndje edhe në Gjirin Persik. Në kryeqytetin e Bahreinit, Manama dhjetra ndërtesa u boshatisën për disa minuta deri në uljen e alarmit.

Top Channel