”Wikileaks” publikon 1,7 milionë dokumente

08/04/2013 17:00

”Wikileaks” publikoi ditën e hënë më shumë se 1,7 milionë kabllograme të diplomacisë amerikane dhe raporte të Shërbimeve Sekrete, që datojnë që nga viti 1970, në atë që përbën një goditje të re të rëndë për SHBA-në.

Në këto raporte, përfshihen detaje se ish-kryeministri indian, Rajiv Gandhi, ishte ndërmjetës në një tregëti madhore armësh dhe përshtypje të ndryshme negative, mbi ish-kryeministren e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher.

Megjithatë, ndryshe nga publikimet e së shkuarës, dokumentat nuk kanë qenë të koduara, por vetëm të sistemuara në arkiva të ndryshme amerikane.

Ajo që ka bërë faqja e Julien Assange është seleksionimi, ndarja në arkiva dhe publikimi në mënyrë të tillë, që të jenë më lehtësisht të shfletueshme dhe të kërkueshme informacionet, bazuar mbi një motor kërkimi.

Sipas informacionit, shumë prej punës së kryer ëshët realizuar nga themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, nga strehimi i tij politik në ambasadën ekuadoriane në Londër.

Assange kërkoi strehim politik në ambasadë në muajin qershor 2012, për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku ai përndiqet formalisht për dy akuza përdhunimi.

42-vjeçari ka mohuar me forcë akuzat dhe pretendon se ato janë të sajuara, për të mundësua ekstradimin e tij në një vend, që ka marrëveshje për shkëmbimin e të kërkuarve me SHBA-në.

Nëse SHBA do të vendosë të përndjekë shtetasin australian për spiunazh, Assange mund të rrezikojë deri dënimin me vdekje.

”Wikileaks”, një faqe e formuar prej Assange, ka publikuar që prej vitit 2010 dokumenta të rezervuara të administratës amerikane, pasi siguroi dosjet në një mënyrë ilegale.

Top Channel