Pavarësisht sinjaleve negative nga Serbia për një mospranim të marrëveshjes, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur të hënën pasdite se ka shprese që do të gjendet koha, momenti dhe rrethanat e përshtatshme për arritjen e marrëveshjes.

“Për disa raunde të takimeve kemi shkuar afër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe unë shpresoj se do të gjendet koha, momenti dhe rrethanat e përshtatshme për arritjen e marrëveshjes, e cila do të ndihmojë në konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës, funksionimin e gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës në çdo cep të territorit të vendit dhe në kuadër të kësaj, integrimin e serbëve në veri dhe gjithë atyre që jetojnë atje në institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër, sipas kryeministrit Thaçi, nëse dialogu do të ketë sukses nuk do të ketë humbës. Në anën tjetër, ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku i ka quajtur lajme jo shumë të këndshme deklaratat që janë bërë nga zyrtarë të Beogradit, se nuk do të pranojnë marrëveshjen por do të kërkojnë dialog shtesë.

“Ky takim mbahet pak minuta pasi ne kemi pranuar një lajm jo shumë të këndshëm nga ana e qeverisë së Serbisë. Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve në Bruksel, Kosova është një, kemi të njëjta detyrime në veri, në jug, lindje dhe perëndim të vendit tonë. Dhe sot më shumë se kurrë është e rëndësishme që qytetarëve tanë përtej lumit Ibër t’u dërgojmë mesazhe bashkëpunimi, pajtimi dhe mirëkuptimi. Qeveria dhe institucionet e tjera janë të interesuar të dërgojnë në veri të vendit jo polici dhe ushtri, por investime dhe zhvillim”, ka thënë Çitaku.

Këto komente u bënë në takimin e radhës të Grupit Punues Sektorial të Qeverisjes, me fokus në pjesën veriore të Mitrovicës, ku u premtuan investime për këtë pjesë të Kosovës.

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson kanë thënë se e mbështesin dialogun dhe shpresojnë se do ketë një zgjidhje.

“Kemi parë përkushtimin e të dy kryeministrave, mbështetjen e politikës në të dyja vendet për dialog për zgjidhjen e problemeve mes Beogradit e Prishtinës. Kështu që marrëveshja është e mundur dhe është afër. Marrëveshja do të jetë në interesin më të mirë të popujve të Kosovës dhe Serbisë dhe do të ndihmojë që t’u ofrojmë atyre një të ardhme më të mirë, përfshirë edhe serbët e veriut”, ka thënë Zhbogar.

“SHBA vazhdojnë të mbështesin dialogun dhe të gjitha arritjet e tij dhe jemi të frymëzuar nga udhëheqja e zonjës Ashton në këtë proçes dhe nga përkushtimi i ekipit kosovar të drejtuar nga kryeministri. Është me rëndësi që të kemi rastin të jemi donatorë dhe të sigurohemi që fondet tona përdoren në mënyrë të efektshme dhe të vazhdojmë të përqendrohemi në veri, sepse shpresojmë se do të kemi një zgjidhje në ditët e ardhshme”, ka thënë Jacobson.

Gjatë këtij takimi ka folur edhe shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiç, e cila është fokusuar tek aktiviteti i kësaj zyre të qeverisë, e hapur vitin e kaluar.

Top Channel