Me Beogradin edhe kur jemi marrë vesh, në fakt nuk jemi marrë. Ky është reagimi i kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kur u pyet rreth paralajmërimeve të zyrtarëve të Beogradit se nuk do të pranojnë marrëveshjen e ofruar nga BE, por do të kërkojnë të vazhdojë dialogu.

Megjithkëtë, sipas Krasniqit, pala kosovare nuk ka bërë asgjë të keqe që ka treguar gatishmërinë për të biseduar dhe për t’i nomalizuar raportet.

“Fatkeqësia është që ne s’jemi marrë vesh asnjëherë me politikën e Beogradit. As në Rambuje dhe as në Vjenë, dhe natyrisht s’kam pritur që do të dlite diçka më e mirë dhe më e mbarë as në këto bisedime. Pala kosovare ka për obligim të forcojë sundimin e rendit dhe ligjit në çdo pjesë të Kosovës, forcimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve demokratike”, ka thënë Krasniqi.

Një ditë para afatit të vendosur nga baronesha Ashton për një përgjigje nga ana e Serbisë, edhe kryetarët e grupeve parlamentare në Kosovë kanë vlerësuar qëndrimin korrekt të Prishtinës.

“Sa i përket qëndrimit të Serbisë nuk është ndonjë befasi për askënd. Ata në vazhdimësi kanë këto qëndrime. Mendoj se për bashkësinë ndërkombëtare do të dalë një detyrë shtesë që të punojë me përfaqësuesit e Beogradit dhe t’i ndihmojë që të shkëputen nga mentalitetin i së kaluarës”, ka thënë Adem Grabovci, kryetar i grupit të PDK-së.

“Për LDK dhe për Kosovën në tërësi mendoj se është e rëndësishme që ne si shtet, si qytetarë të këtij vendi, si institucione t’i përmbahemi atyre obligimeve që i kemi kushtetuese dhe ato obligime janë të ruajmë integritetin, sovranitetin dhe të respektojmë Kushtetutën e vendit tonë. Kjo është me rëndësishme se ajo çfarë ka thënë Beogradi dhe cili është qëndrimi i tyre”, ka thënë nga ana tjetër Ismet Beqiri, nga LDK.

“Nuk ka ndonjë gjë për t’u tmerruar që Serbia e ka refuzuar. Njësoj është sjellë gjithmonë. Mendoj se sjellja e Kosovës ka qenë korrekte ndaj qytetarëve serbë, ka qenë korrekte edhe ndaj Unionit Evropian dhe mendoj se konteksti është më i gjërë dhe njerëzit duhet të gjejnë zgjidhjen për problemet”, ka shtuar më tej kreu i grupit të AAK-së, Ardian Gjini.

Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare dhe u caktuan seancat e Kuvendit për këtë javë.

Top Channel