Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në shumicën e komunave shqiptare në Maqedoni. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shpallur fitore në dy komunat më të mëdha me shqiptarë, Tetovë dhe Gostivar, të cilat në mandatin e kaluar nuk i kishte në udhëheqje kjo parti.

Sipas Ahmetit, BDI-ja në raundin e dytë ka fituar edhe në komunat e tjera shqiptare si në Çair, Haraçinë, Tearcë, Vrapçisht, Bervenicë dhe Dollnen. Kështu numri i komunave që ka fituar kjo parti në zgjedhjet lokale shkon në 15.

Ndërkaq në garën që u zhvillua në baza etnike në Strugë ka fituar kandidati shqiptarë i PDSH-së Zijadin Sela me një diferencë të thellë kundrejt kundër kandidatit të tij maqedonas Vlladimir Kocovski. Megjithatë, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se zgjedhjet në shumicën e komunave nuk ishin të barabarta pasi sipas tij, BDI ishte bashkuar me maqedonasit kundër PDSH-së, si opsion i vetëm kombëtar.

Në bllokun maqedonas shumicën absolute të votave e ka fituar partia e kryeministrit Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE.

Në krye të qytetit të Shkupit, është rikonfirmuar kandidati i kësaj partie, Koce Trajanovski.

Në bazë të ligjit për decentralizim, Maqedonia ndahet në 81 komuna, 16 prej të cilave në katër vitet e ardhshme do të udhëheqin shqiptarët.

Fitorja më e madhe e shqiptarëve në këto zgjedhje u shënua në Kërçovë, ku pas shumë viteve drejtimin e kësaj komune e merr një shqiptar.

Top Channel