Franca, ofensivë madhore në Mali

08/04/2013 16:35

Forcat e armatosura franceze po ndërmarrin ofensivën më të madhe ndaj militantëve islamikë në veriun e Malit, që prej fillimit të konfliktit në muajin janar, informoi të hënën “Agence France Presse”.

Mbi 1 mijë trupa janë duke realizuar një mësymje në një luginë lumore pranë qytetit të Gaos, ku besohet se ndodhen baza logjistike të militantëve.

Besohet se ky do të jetë operacioni i fundit madhor i ndërmarrë nga ushtria franceze, përpara largimit të paralajmëruar të saj nga ish-kolonia afrikane, largim që do rtë nisë brenda muajit.

Sipas të dhënave, militantët i janë përgjigjur këtyre sulmeve me disa sulme vetvrasëse, me qendër të Gao dhe Timbuktu, rreth 1 200 kilometra në veri të kryeqytetit Bamako.

Franca dërgoi trupa në Mali, për të penguar pushtimin e vendit nga militantët në muajin janar.

Falë ndërhyrjes së Parisit, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara në vend, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin prill.

Gjate vitit te fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.

Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.

Top Channel