Vrasjet në Afganistan, ndër to edhe një zyrtare

07/04/2013 21:15

Departamenti amerikan i Shtetit i përcolli ngushëllimet e tij familjes së një zyrtareje të re të shërbimit të jashtëm, e cila u vra të shtunën bashkë me një punonjës civil të Departamentit të Mbrojtjes dhe një mjek afgan, nga shpërthimi i një autobombe në kohën kur autokolona e tyre po shkonte për të çuar libra te fëmijët e një shkolle afgane.

Sulmi në provincën Zabul, në jug të Afganistanit, i mori jetën edhe tre ushtarakëve amerikanë. Në të njëjtën ditë, në lindje të vendit u vra një tjetër punonjës civil amerikan.

Zabuli ndodhet pranë Kandaharit dhe ndan një kufi me Pakistanin. Besohet se shënjestra e sulmit mund të ketë qenë automjeti i guvernatorit të provincës, Mohamad Ashraf Naseri, i cili shpëtoi nga atentati pa asnjë gërvishtje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri tha se e kishte takuar zyrtaren e vrarë, emri i së cilës nuk u bë i ditur menjëherë, gjatë ndalesës së një jave më parë në Kabul. Sipas Zërit të Amerikës, kryediplomati e përshkroi atë si “të zgjuar, të aftë, të predispozuar për të shërbyer dhe të angazhuar thellësisht për vendin tonë dhe për ndryshimin, që ajo po i sillte popullit afgan”.

Sulmet e së shtunës erdhën në kohën, kur shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, gjeneral Martin Dempsi, mbërriti në Afganistan për t’u takuar me zyrtarë amerikanë dhe afganë, si dhe për të vlerësuar numrin e trupave amerikanë, që duhet të qendrojnë atje për të stërvitur ushtarët vendas, pas tërheqjes së trupave vitin e ardhshëm.

Gjeneral Dempsi pritet të vizitojë gjithashtu trupat amerikane në terren, në kuadër të përpjekjes për të planifikuar rolin e Shteteve të Bashkuara, pas tërheqjes së njësive luftarake nga Afganistani deri në fund të vitit 2014.

Top Channel