Portugali, gjykata rrëzon buxhetin anti-krizë

06/04/2013 10:30

Gjykata Kushtetuese e Portugalisë ka rrëzuar një seri nenesh kyçe të buxhetit të shtetit për vitin 2013, duke i cilësuar si anti-kushtetuese.

Gjykata hodhi poshtë katër nga nëntë masat e kontestuara anti-kirzë, të miratuara më herët nga qeveria për buxhetin.

Vendimi do t’i heqë shtetit rreth 1.5 miliardë euro kursime, që sipas qeverisë ishin të nevojshme për të implementuar kushtet e vëna nga eurozona.

Presidenti i Portugalisë, Anibal Cavaco Silva deklaroi para vendimit të gjykatës se nuk besonte se, vendimi i saj do të thoshte ndryshim të qeverisë.

Ai tha se vota e së mërkurës në Parlament, për një mocion besimi të kërkuar nga socialistët, kishte rilegjitimuar qeverinë.

Gjykata hodhi poshtë masën për të reduktuar shpenzimet për pushimet e verës për punëtorët e sektorit publik dhe pensionistët, si dhe shkurtimet e përfitimeve për të papunët dhe të sëmurët.

Kryeministri Pedro Passos Coelho nuk reagoi ndaj vendimit, por thirri menjëherë kabinetin e tij për një mbledhje të jashtëzakonshme.

Qeveria e qendrës së djathtë duhet të gjejë tani kursime alternative dhe t’i miratojë ato në Parlament në formën e një buxheti suplementar.

Ose ajo mund të kërkojë të rinegociojë afatet dhe kushtet për marrëveshjen e ndihmës nga Trojka, tre institutet që mbikëqyrin implementimin e tyre.

Top Channel