Meksikë, memorial për viktimat e drogës

06/04/2013 09:00

Një memorial është përuruar në Meksikë për të përkujtuar dhjetëra mijëra personat e vrarë nga lufta e drogës.

Struktura masive është e ndarë në mure të shumta prej çeliku, në të cilat janë shkruar poema dhe citime nga shkrimtarë të ndryshëm, por jo emrat e viktimave.

Memoriali ndodhet në Parkun Çapultepek, pranë Qytetit të Meksikos. Por ndërtimi i tij është kritikuar nga disa të afërm të viktimave dhe të zhdukurve, që nuk ndihen të përfaqësuar.

“Ky memorial përkujton jo vetëm ata që kanë ikur, por edhe ata që janë ende këtu”, deklaroi Alejandro Marti, themelues i grupit SOS, djali adoleshent i të cilit u rrëmbye dhe vra në vitin 2008.

“Ky memorial duhet të simbolizojë një betejë të përbashkët për të shmangur viktima të tjera të luftës së drogës”, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm meksikan, Miguel Angel Osorio, duke folur në ceremoninë e inaugurimit tha se vendi duhet të lërë pas vitet e dhunës dhe të shohë drejt një të ardhmeje pozitive dhe produktive.

“Viktimat e dhunës nuk janë numra. Ato janë histori. Ato janë një axhendë e qeverisë dhe gjithë shoqërisë meksikane”, tha Osorio.

Me një kosto prej 2.4 milionë dollarësh, memoriali i madh është ndërtuar me paratë e sekuestruara të karteleve të drogës.

Top Channel