37 mijë persona të larguar nga Afrika Qëndrore

06/04/2013 02:20

Numri i civilëve, të cilët janë larguar nga Republika e Afrikës Qëndrore, që prej fillimit të konfliktit në dhjetor, ka shkuar në 37 mijë, sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR.

Lajmi u bë i ditur të premten, sipas të cilit mbi 30,800 persona kanë kërkuar strehim te fqinjët e Republikës Demokratike të Kongos, sipas OKB-së. Njerëzit vazhdojnë të largohen edhe për në vendet e tjera fqinje, njofton agjencia.

“Gjatë dy javëve të fundit, zyrat tona kanë raportuar të sapoardhur në Çad, Kamerun, dhe Republikën Demokratike të Kongos”, tha zëdhënësi i UNHCR-së, Adrian Edwards për gazetarët në Gjenevë.

Një koalicion rebelësh rrëzoi nga pushteti presidentin e Rep. së Afrikës Qëndrore, Francois Bozize, gjatë muajit të kaluar, i fundit i një serie grushtesh shteti, që kur vendi fitoi pavarësinë nga Franca në 1960-n.

Vitin e kaluar, disa grupe rebele, nën emrin Seleka, nisën të pushtonin pjesë të ndryshme të vendit. Në janar, rebelët dhe qeveria thyen një marrëveshje paqeje, e cila përfshinte një armëpushim dhe një marrëveshje për formimin e një qeverie të bashkuar, të udhëhequr nga Bozize.

Agjencia e refugjatëve të OKB-së tha se po punon me autoritetet e vendeve, ku po drejtohen refugjatët, për t’u ofruar atyre mbrojtje dhe ndihma. Ekipet e UNHCR-së janë duke ofruar ndihma mjekësore dhe duke ngritur çadra emergjence, tha Edwards.

Top Channel