UNICEF: Nuk ka fonde për refugjatët sirianë

05/04/2013 21:45

Dy vite luftë civile në Siri kanë vendosur vendosur nën presion rezervat financiare të OKB-së, ndërsa një agjensi e cila u jep strehë, mjekime dhe ushqime refugjatëve të luftës vendet fqinje lajmëroi se po i mbarojnë fondet.

Rreth 1,2 miliona ndodhen në Jordani, Liban, Turqi dhe më pak në vende të tjera fqinje, ku janë strehuar në çadra të improvizuar, të kampeve të refugjatëve.

“Kërkesat janë duke u rritur në mënyrë eksponenciale dhe ne nuk kemi më fonde”, deklaroi Marixie Mercado, një zëdhënëse e “UNICEF”-it, ndërsa bëri apel për më shumë ndihma, sidomos për fëmijët sirianë.

“Që prej fillimit të luftës, më shumë se dy mijë refugjatë kanë kaluar kufirin për në Jordani çdo ditë, ndërsa presim që deri në korrik, nëse lufta vazhdon me të njëjtat ritme, numri i refugjatëve të dyfishohet (nga 385 mijë në 750 mijë). Nëse luftimet vazhdojnë deri në dhjetor, në llogaritë tona, numri i refugjatëve, vetëm në Jordani do të ketë kaluar një milionë persona. Ky përshkallëzim i nevojave i ka përtharë fondet tona”, shtoi Mercado.

“UNICEF”-i, ashtu si dhe disa organizata të tjera humanitare, është goditur ndjeshëm nga reduktimi i fondeve prej donatorëve kryesorë.

Nga 57 milionë dollarë të kërkuar në fillim të vitit, agjensisë i janë akorduar vetëm 12 milionë, as 20% e fondeve të përllogaritura për përballimin e situatës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 70 mijë persona kanë humbur jetën në konfliktin sirian deri më tani, por edhe më shqetësuese vlerësohet gjendja e vështirë humanitare e 22 milionë sirianëve, që përballen me mungesa të shumta dhe pasiguri për jetën, brenda vendit, si dhe ata në kampe refugjatësh.

Top Channel