Françesku: Pastrojmë kishën nga pedofilët

05/04/2013 15:25

Papa Françesku bëri thirrje për një “goditje vendimtare”, në luftën kundër abuzimit seksual të priftërinjve ndaj të miturve.

Në një takim me at Gerhard Mueller, kreun e Kongregacionit për Doktrinën e Besimit, organizmin e ngarkuar me hetimin e rasteve të abuzimeve, Papa kërkoi që fajtorët të marrin ndëshkime shembullore.

Në një deklaratë të Vatikanit, Ati i Shenjtë i kërkonte at Muellerit që “të veprojë me vendosmëri në të gjitha rastet e abuzimeve seksuale, duke pasur mbi të gjitha, si qëllim mbrojtjen e të miturve dhe ardhjen në ndihmë të atyre që kanë përjetuar një vuajtje të tillë në të shkuarën”.

Françesku gjithashtu kërkoi lehtësimin e burokracirave dhe procesit, që çon në shpalljen e fajësisë së një kleriku, për të lehtësuar dhëniet përkatëse të ndëshkimeve.

Ky ishte qëndrimi i parë i Papës argjentinas, në lidhje me skandalin e abuzimeve të klerikëve, që ka dëmtuar rëndë reputacionin e Kishës Katolike në vitet e fundit.

Ish-kardinal Bergoglio, Françesku u emërua Papë më parë gjatë Marsit, pasi Benedikti XVI vendosi që të dorëhiqej, duke u shndërruar në Papën e parë në 600 vjet që dorëzonte funksionet e tij në mënyrë vullnetare.

Në zgjedhjen e tij, Benedikti XVI premtoi pastrimin e kishës nga “mëkati” dhe “ndyrësia” e abuzimit, por kritika të shumta iu drejtuan Papës gjerman, për përdorimin e një taktike të ndëshkimit në heshtje, për të mbajtur larg syve të publikut rastet e pedofilisë.

Ndër vite, viktima të abuzimeve seksuale të klerikëve kanë kërkuar një falje publike dhe më shumë veprim prej Kishës Katolike, për të adresuar këtë problem tronditës.

Top Channel