Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramushj Haradinaj dhe ai i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci kanë nënshkruar të premten koalicionin parazgjedhor për të garuar bashkë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në 2013-ën.

Lideri i AAK-së ka thënë se, bashkimi me LDD-në po bëhet për të ndryshuar gjendjen e Kosovës dhe për t’i ndërruar trendet e zhvillimit. Ndërsa lideri i LDD-së, Nexhat Daci ka thënë se po bashkohen për të vazhduat rrugën e Rugovës.

Menjëherë pas lajmit ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ku thuhej se, me LDD-në kjo parti ka zhvilluar një varg bisedimesh të veçanta dhe i ka ofruar asaj të gjitha mundësitë e arsyeshme për të bashkëpunuar, madje edhe si partnerë të një koalicioni parazgjedhor.

Aty thuhet gjithashtu se oferta e LDK-së ka qenë tepër serioze dhe e motivuar, në mënyrë që të bashkojë elektoratin rugovian.

“Në situatën e krijuar pas marrëveshjes ndërmjet AAK-së dhe LDD-së, kryetari dhe strukturat drejtuese qëndrore dhe lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës i bëjnë thirrje elektoratit rugovian në mbarë Kosovën që t’i bashkohet LDK-së”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel