“Qëndrimet e Kosovës janë plotësisht në përputhshmëri me orientimet e BE-së, por edhe të SHBA-ve, prandaj përgjigjja e Prishtinës ka qenë e gatshme, që në datën 4 mars, në lidhje me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën pasdite, pas kthimit nga Brukseli, ku një ditë më herët nuk u arrit një marrëveshje ndërmjet palëve, për çfarë ndërmjetësuesja e dialogut, baronesha Ashton, është shprehur se kryeministrat do të kthehen në kryeqytetet e tyre, të konsultohen me kolegët.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se autoritetet në Beograd kanë kërkuar afat shtesë, ndërsa ka thënë se procesin e dialogut ende nuk mund ta shpallim si të përmbyllur apo të dështuar.

“Po e theksoj se, qëndrimet e Kosovës janë plotësisht në përputhshmëri me orientimet e BE-së, por edhe të SHBA-ve, prandaj përgjigjja e Prishtinës ka qenë e gatshme edhe në datën 4 mars, është e gatshme edhe sot. Tani autoritetet në Beograd kanë kërkuar kohë shtesë për konsulta dhe gjithcka do varet nga përgjigja e tyre, nëse do ta pranojnë dokumentin apo jo, në lidhje me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, tha Thaçi.

Më tej, kryeministri Thaçi ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e legjislative. Sipas tij, sistemi i drejtësisë do të jetë unik, do të ketë vetëm një sistem policor dhe do të shpërbëhen strukurat ilegale të sigurisë së Serbisë, që veprojnë në veri.

Po ashtu, kryeministri Thaçi ka thënë se Serbia është e interesuar për territorin e veriut, kurse Kosova për qytetarët e kësaj pjese, ndërsa ka zbuluar se në takimet e mbyllura, përfaqësuesit e Beogradit e pranojnë se Kosova është shtet.

“Dallimi ynë është se Beogradi interesohet vetëm për territorin, jo për qytetarët në veri. Ju e dini, ata kanë patur fillimisht objektivin për ndarjen e Kosovës, ai objektiv i tyre është shuar njëherë e përgjithmonë më 25 korrik të vitit 2011. Kanë patur synimin e krijimit të një Republika Serbska, gjë që gjithashtu është e parealizueshme. Asnjë element nuk do të mund të realizohet nga kjo përpjekje. Kanë patur synimin e ndonjë autonomie apo statusi të vecantë, që do të jetë sërish e parealizueshme. Edhe vet ata kanë këmbëngulur në mbledhjet e mbyllura për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi e konsiderojnë Kosovën një vend sovran, i pavarur, që ka si perspektivë lëvizjen dhe integrimin euroatlantik”, shtoi më tej Thaçi.

Gjatë kësaj konference, kryeministri Thaçi ka folur edhe për përplasjet brenda takimit me përfaqësuesit e Serbisë, duke thënë se çdo argumentim i Kosovës në këtë takim ka qenë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Top Channel