Siria, Kerry kërkon takim me homologët

04/04/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u ka kërkuar homologëve në
Britani dhe Francë që të mbajnë një takim për Sirinë në kuadër të
takimit të G8-ës në Londër.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja saudite “Asharq al Awsat”, që citon burime zyrtare franceze. Samiti i G8-ës do të mbahet në datat 10 dhe 11 prill.

Mes temave të bisedimeve do të jetë edhe ajo për gjetjen e një strategjie për fraksionet xhihadiste siriane anti-regjim, mes të cilave ato Xhabhat dhe Nusra.

Grupimet në fjalë janë futur nga administrata amerikane në listën e organizatave terroriste.

Më shumë se 6 mijë persona kanë vdekur në Siri gjatë muajit mars, duke shënuar kështu muajin më të përgjakshëm, që prej fillimit të protestave kundër qeverisë 2 vite më parë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), një grup aktivist me bazë në Britani, njoftoi pak ditë më parë se gjatë muajit që sapo lamë pas ishin numëruar 6.005 vdekje.

Mes viktimave janë të paktën 291 femra, 298 fëmijë, 1.486 luftëtarë rebelë dhe të larguar nga ushtria, si dhe 1.464 trupa qeveritare. Rastet e tjera kanë qenë civilë e ushtarë të paidentifikuar, shtonte SOHR.

Grupi anti-qeveritar, i cili monitoron shkeljen e të drejtave të njeriut nga të dyja palët e konfliktit përmes një rrjeti kontaktesh anembanë Sirisë, tha se numri total i viktimave i kalon 62.554, të faktuar.

Top Channel