SHBA, vrasje në bazën ushtarake

04/04/2013 00:00

Të shtëna armësh zjarri janë verifikuar në bazën ushtarake amerikane Fort Knox, në Kentaki, ku si pasojë ka gjetur vdekjen një person.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave ngjarja ka bërë që baza të qëndrojë e mbyllur për rreth një orë.

Sipas burimeve, viktima e të shtënave ka qenë një punonjës civil i bazës. Nga hetimet e para dyshohet se bëhet fjalë për një vrasje të përgatitur dhe jo një të rastësishme.

Personi u qëllua në një parking pak metra larg Komandës së Burimeve Njerëzore, zyra në të cilën punonte, bëjnë të ditur mediat në Shtetet e Bashkuara.

Forcat e policisë prej disa orësh janë vënë në kërkim të vrasësit, i cili dyshohet të jetë një burrë me ngjyrë, me gjatësi mesatare dhe në bortin e një motoçiklete.

Për momentin nuk dihet skenari i ngjarjes, nëse vrasja është e lidhur me punën e viktimës apo me çështje personale të tij. Deri tani nuk është publikuar as lloji i armës së përdorur. Mbi ngjarjen hetojnë autoritetet ushtarake dhe agjentët e FBI-së.

Top Channel