Aleksandër Vuçiç paralajmëron dorëheqjen, Presidenti i Serbisë: Do të jem edhe vetëm për disa javë
Analisti i njohur i çështjeve të Ballkanit, Daniel Server ka deklaruar
se deri në mes të prillit ka ende kohë që Serbia dhe Kosova të arrijnë
një marrëveshje.
Në një intervistë për “VOA”, Server ka nënvizuar se dështimi në këtë drejtim do të ishte i dëmshëm për perspektivën evropiane të të dyja vendeve, por sidomos për Serbinë.
“Mendoj se marrëveshja është e mundur, por besoj se zonja Ashton do të kërkojë që thjesht të pritet. Në Ballkan kurrë nuk është rënë dakord, përveçse në çastin e fundit. Zonja Ashton ka kohë deri nga mesi i prillit për të paraqitur raportin e saj mbi bisedimet. Prandaj, asaj do t’i duhet të presë që palët të mendojnë mirë për atë që është në tryezë dhe të shohë nëse do t’i pranojnë ato”, ka thënë Server.
Sipas tij, Beogradi e ka më shumë problem ta pranojë ofertën sesa Prishtina, edhe për faktin se kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka bërë komente më optimiste.
Duke komentuar pasojat në rast dështimi, analisti ka theksuar se më të rëndat do të jenë për Serbinë, sepse ajo pret datën për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Me sa kuptoj, bashkë me këtë datë, Serbia shpreson të marrë edhe financime të rëndësishme për proçesin e anëtarësimit. Përsa i përket Kosovës, shqetësimi mund të jetë se Bashkimi Evropian do të ngadalësonte proçesin e heqjes së vizave dhe bisedimet për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit mund të mos fillojnë menjëherë”, ka nënvizuar Server.
“Këto janë problemet për Kosovën. Por ato janë shumë më pak të mprehta sesa problemet që do të kishte Serbia nëse marrëveshja nuk arrihet”, ka vijuar ai.
Rohan: Dështimi, më e humbur Serbia
Ndërkohë, ish-ndërmjetësi për statusin e Kosovës, Albert Rohan ka thënë se dështimi i dialogut të së martës në Bruksel është për keqardhje.
“Asociacioni i propozuar i komunave serbe është plotësisht në përputhje me Kartën për Vetëqeverisje Lokale të Këshillit të Evropës, anëtare e të cilit është Serbia. Është zhgënjyese që Serbia nuk i ka pranuar propozimet e zonjës Ashton”, ka thënë Rohan në një intervistë për “Koha Ditore”.
Sipas tij, është Serbia ajo që duhet të ndërrojë qasjen nëse dëshiron që marrëveshja të arrihet brenda afatit të përcaktuar nga Bashkimi Evropian.
“Nëse Serbia insiston në refuzim, kjo do të jetë mundësia e tretë e humbur për Beogradin pas Rambujesë në vitin 1999 dhe Vjenës në 2007-ën për t’u përballur me realitetin në rajon. Në një rast të tillë ka pak gjasa që Serbia të marrë një datë për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE”, ka shtuar Rohan.
Top Channel