Sekretari Kerry, tur në Lindjen e Mesme

04/04/2013 15:50

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, do të vizitojë në datat 8-9 prill Jeruzalemin dhe Bregun Perëndimor, përpara se të ndalojë në disa vende të Lindjes së Mesme, lajmëroi të enjten Depatamenti i Shtetit.

Një vizitë e tillë, e cila do të vijë pak javë pas një vizite zyrtare të Obamës në Izrael dhe Palestinë, shërben për të evidentuar vëmendjen e veçantë që i kushton administrata amerikane këtij rajoni problematik.

Vizita i bashkëngjitet një turi të paralajmëruar të Kerry në Azi, ndërsa do të paraprihet nga një ndalesë në Stamboll, ku do të mbahen takime me disidentët sirianë dhe do të diskutohet për zgjidhje të reja rreth luftës civile në këtë vend.

Për momentin nuk është ende e qartë se në cilat çështje konkrete do të përqendrohet vizita në Izrael dhe Palestinë, por një zyrtar brenda Departamentit u shpreh se Kerry nuk do të prezantojë një plan paqe, por vetëm do të bëjë një “sondazh”, për të parë se deri në çfarë pike mund të arrijnë negocimet e paqes.

Pas marrjes së detyrës, pasardhësi i Hillary Clinton zgjidhi si ndalesën e tij të parë Egjiptin.

Pas përfundimit të turit në Lindjen e Mesme, Kerry do të udhëtojë për në Seul, Pekin dhe Tokio.

Top Channel