Raporti i ODIHR: KQZ e politizuar

04/04/2013 00:00

OSBE- ODHIR konfirmon dërgimin e 30 vëzhgesve afatgjatë dhe 400 vëzhgesve afatshkurtër për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri.

Dy organizatat bëjnë këtë në raportin të parë paraprak, për procesin përgatitor të zgjedhjeve në Shqipëri, ku dominon shqetësimi për të.

“Mjedisi është mjaft i polarizuar nga dy partitë kryesore. Ambienti politik në Shqipëri në prag të zgjedhjeve është i tensionuar si pasojë e konfliktit të gjatë mes dy partive”, thotë raporti paraprak i OSBE-ODHIR. “Ky konflikt i tejzgjatur mes partive mund të ketë një impakt negativ në mbajtjen e zgjedhjeve të qershorit. Ekziston një mungesë besimi se forcat politike do kenë vullnetin politik për zgjedhje demokratike”, thuhet në këtë raport.

“Shqetësim ka gjithashtu dhe mbi një presion të mundshëm mbi votuesit dhe keqpërdorim të fondeve shtetërore”, thotë më tej ky raport. Në punën e KQZ-së, raporti vë theksin tek paaftësia e këtij institucioni për të marrë vendime konsensuale të rëndësishme.

“KQZ-ja nuk mundi të vendosë për çështjen e ndarjes së mandateve dhe numrin e zonave të administrimit zgjedhor. Mungesa e konsenusit ka shumë gjasa që të çojë në politizimin e mëtejshëm të KQZ-së’’, thotë raporti.

“Vonesat në zbatimin e teknologjisë së re, pamjaftueshmërisë së kohës per trajnimin e komisionerëve në Qarqet Tirane dhe Fier”, janë të theksuara me shqetësim gjithashtu në këtë raport.

Sipas ODIHR, mjedisi mediatik në Shqipëri është i polarizuar dhe i rreshtuar përkrah interesave politike.

Raporti rrëzon edhe propozimin e kryeministrit për uljen e moshës së votuesve në 16 vjec. “Zgjedhjet janë shumë afër, propozimi për uljen e moshës së votuesve nuk është një praktikë e mirë”, thotë raporti i ODIHR.

Listave e zgjedhësve gjithashtu pushteti dhe opozita kanë qendrime të ndryshme, por të dyja palët, thotë raporti flasin për pasaktësi dhe parregullsi të emrave dhe adresave të votuesve në ekstraktet e publikuara.

Raporti paraprak i ODHIR vlerëson ligjin e ri zgjedhor, teksa sheh me skepticizëm vullnetin për zbatimin e tij.

Top Channel