Bilanci i konfliktit/ Irani ka goditur 20 baza ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, dëmet janë më të mëdha se sa pranohet zyrtarisht
Instituti International Consortium of Investigative Journalist, ICIJ, me bazë në Uashington, ka zbuluar sekretet për parajsat fiskale të biznesmenëve dhe politikanëve nga e gjithë bota.
ICIJ ka marrë në zotërim mbi 2.5 milionë dosje që tregojnë llogaritë sekrete dhe transaksionet e fshehta të pasanikëve më të mëdhenj të planetit. Në hetim kanë marrë pjesë 86 gazetarë nga e gjithë bota.
Publikimi i të dhënave ka nisur me llogaritë bankare të disa politikanëve francezë. Vetë mediat franceze e kanë pagëzuar Offshoreleaks si “skandalin fiskal planetar”.
Gazeta “Le Monde” në numrin e saj zbulon se Jean Marc Augier, një biznesmen i njohur në fushën e botimeve dhe kujdestar i financave të Francois Hollande gjatë fushatës së vitit të kaluar, është aksioner në dy kompani ‘offshore’ në ishujt Kajman.
“Shumë nga bankat e mëdha, përfshirë këtu UBS, Clardien e Deutsche Bank kanë punuar me agresivitet për t’u mundësuar klientëve të tyre ngritjen e kompanive të mbrojtura nga sekreti në Ishujt e Virgjër dhe parajsa të tjera fiskale”, thuhet në të dhënat e para të raportit të konsorciumit investigativ ICIJ.
Mes personave të pajisur me llogari bankare ‘offshore’ janë rreth 4 mijë amerikanë, por edhe oligarkë rusë, biznesmenë nga Lindja e Mesme dhe politikanë nga e gjithë bota.
Nga Rusia figurojnë edhe bashkëshortja e zëvendëskryeministrit të parë Igor Shuvalov, si dhe menaxherë të lartë të kompanive kontraktore ushtarake dhe të burimeve natyrore.
Bashkëshortja e Shuvalov, Olga Shuvalova, ka refuzuar hipotezën për parregullësi eventuale në interesat e saj ‘offshore’. Në shënjestër të hetimit kanë qenë mes të tjerësh edhe dy menaxherët kryesorë të kolosit të gazit, “Gazprom”.
“Funksionarë qeveritarë, familjarët e tyre dhe ortakët në Azerbaixhan, Rusi, Kanada, Pakistan, Filipine, Tajlandë, Mongoli dhe vende të tjera janë bashkuar për përdorimin e kompanive private dhe llogarive bankare”, thuhet në raport.
“Pasanikët kanë përdorur struktura ‘offshore’ për të marrë në zotërim vila, jahte, kryevepra artistike dhe objekte të tjera duke përfituar avantazhe fiskale përmes ruajtjes së anonimatit”, vijon dokumenti.
“Do të ketë pasoja për parajsat fiskale që pranojnë ose fshehin të ardhurat nga evazioni fiskal, që çdo vit në BE arrijnë në 1 miliard euro në vit”, ka qenë reagimi i zëdhënësit të KE, Oliver Bailly.
Top Channel