Kubë, dezertojnë shtatë balerinë

04/04/2013 00:00

Shtatë anëtarë të Baletit Kombëtar të Kubës kanë dezertuar gjatë një
turi shfaqjesh në Meksikë muajin e kaluar. Një zëdhënës i baletit
konfirmoi lajmin, duke thënë se ata nuk ishin kthyer në përfundim të
turit.

Trupa, e drejtuar nga balerina legjendare Alicia Alonso, është prekur edhe nga dezertime të tjera në të kaluarën.

Një faqe interneti për kubanezët në mërgim, me bazë në Majemi, thotë se gjashtë nga dezertorët janë tashmë në Shtetet e Bashkuara ndërsa i shtati ende në Meksikë.

Drejtoresha e Shkollës së Baletit Kombëtar në Havana, ku disa prej tyre kanë studiuar, shprehu trishtimin e saj për lajmin. Ramona de Saa tha se e konsideronte një nga pesë balerinat mes 7 dezertorëve si vajzën e saj.

Faqja e internetit cafefuerte.com i identifikoi të larguarit si dy burra dhe pesë gra, të gjithë rreth 20 vjeç. Tani ata kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara. Mendohet se aktualisht ndodhen në Majemi, ku është dhe komuniteti më i madh i emigrantëve kubanezë në Amerikë.

“Ne ikëm me mendimin për të kërkuar një jetë më të mirë artistike dhe me mirëqënie për familjet tona”, citon faqja e internetit një prej anëtarëve të grupit, Annie Ruiz Diaz.

Baleti Kombëtar i Kubës ka pasur në vitet e fundit një numër jo të vogël dezertimesh të profilit të lartë, me anëtarët e tij që kërkojnë mundësi më të mira artistike dhe ekonomike jashtë vendit.

Në mars 2011, 5 anëtarë të kompanisë dezertuan pas një performance në Kanada, ndërsa në 2005-ën balerini kryesor i saj, Rolando Sarabia u largua për në SHBA gjatë një turi në Meksikë dhe që atëherë performon me trupën e Hustonit dhe Majemit.

Top Channel