Korea Veriut, “sulm” SHBA-ve

04/04/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë avancuar më tej me sistemin mbrojtës ndaj raketave, në ishullin Guam në Paqësor, për shkak të ashpërsimit të retorikës së Koresë së Veriut.

Deklarata e fundit nga Peniani “informon formalisht” Pentagonin se ka “ratifikuar” një sulm të mundshëm bërthamor të ushtrisë së vendit komunist. Korea e Veriut ka kërcënuar se do të sulmojë SHBA-të dhe Korenë e Jugut, disa herë gjatë javëve të fundit.

Deklarata e fundit e tyre vjen pas paralajmërimit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, se Korea e Veriut është “një rrezik real dhe i pastër” për amerikanët dhe aleatët e tyre.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar të mërkurën se do të dislokojë terminalin balistik të sistemit mbrojtës të lartësive të mëdha (THAAD) gjatë javëve në vijim.

Sistemi THAAD përfshin një lëshues raketash të montuar në kamion, interceptorë raketash, dhe dy radarë ndjekës AN/TPY, së bashku me një sistem të kontrollit të zjarreve të integruar.

Pentagoni tha se sistemi raketor do të transferohet në Guam, një territor amerikan me një prezencë të theksuar ushtarake të SHBA-ve, si një “lëvizje paraprake për të përforcuar mbrojtjen rajonale ndaj kërcënimeve balistike raketore të Koresë së Veriut”.

“Shtetet e Bashkuara mbeten vigjilentë përpara provokimeve të Koresë së Veriut, si dhe jemi të gatshëm të mbrojmë territoret amerikane, aleatët tanë, si dhe interesat tona kombëtare”, shtoi Pentagoni.

SHBA-të kanë planifikuar gjithashtu të dërgojnë sistemin THAAD në Guam, por jo nën këto rrethana, thonë analistët.

Riki Ellison, drejtues i Grupit Avokator për Mbrojtjen Raketore, tha për BBC se vendimi i Pentagonit për të përshpejtuar transferimin nënvizon faktin se sa seriozisht e ka marrë Washingtoni kërcënimin e Penianit, por mund të shihet thjesht si një reagim mbrojtës i pastër, jo si përshkallëzim i situatës.

Ai tha se sistemi THAAD vetëm do të mbrojë Guam-in dhe zonën përreth, duke mos mbuluar Korenë e Jugut apo Japoninë.

Ndërkohë, po të mërkurën, një deklaratë e lëshuar nga agjencia e lajmeve koreano-veriore, bënte të ditur: “Ne informojmë formalisht Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin se përshkallëzimi i politikave ushtarake të tyre kundrejt nesh, si dhe kërcënimi i tyre bërthamor do të hasë dëshirën tonë të fortë, të të gjithë personelit të bashkuar të shërbimit dhe popullit, gjë që do të thotë se operacione të pamëshirshme ‘të vogla, të lehta e të larmishme’ kundrejt armiqve imperialistë do të merren nga forcat tona të armatosura revolucionare, që kanë marrë tashmë ratifikimin”.

Ai paralajmëron gjithashtu se lufta mund të nisë nga momenti në moment, brenda gadishullit korean ose jo, “brenda ditës së mërkurë, apo të enjten”.

Peniani-Seulit: Mjaft me ofendime

Korea e Veriut ka riafirmuar kërcënimin e saj për mbylljen e zonës industriale të Kaesongut nëse Korea e Jugut do të vazhdojë “ta ofendojë”.

“Seuli dhe mjetet e tij të komunikimit refuzojnë të braktisin metodat e tyre konfliktuale dhe vazhdojnë të thonë se ne nuk kemi kurajo të bëjmë asgjë në Kaesong, sepse është një burim parash”, shkruan agjencia KCNA.

Sipas burimit mediatik, një tjetër opsion i Penianit është tërheqja e 53 mijë punëtorëve koreano-veriorë nga zona industriale.

Ndërkohë, agjencia koreano-jugore “Yonhap”, që citon burime të qeverisë së Seulit, njofton se Veriu ka transportuar në bregun lindor një raketë me rreze të mesme veprimi.

“Autoritetet koreano-jugore dhe amerikane të inteligjencës kanë zbuluar sinjale se Korea e Veriut ka vendosur një objekt të ngjashëm me një raketë në bregun lindor”, ka thënë një nga burimet.

Sipas tij, mund të bëhet fjalë për një vektor Musudan, në gjendje të mbulojë 4 mijë kilometra dhe për rrjedhojë të arrijë Guamin. 

Top Channel