Itali, Ruby: Asnjë raport me Berlusconin

04/04/2013 15:35

Kërcimtarja Karima el-Mahroug, e njohur në Itali thjesht si “Ruby”, mbajti një protestë jashtë gjykatës, në të cilën ish-kryeministri Silvio Berlusconi po gjykohet për marrëdhënie seksuale me të, në kohën kur ajo ishte minorene.

Pavarësisht marrëdhënieve të dyshimta me ish-kryeministrin, Ruby ka mohuar me forcë që të ketë pasur kontakte seksuale me 76-vjeçarin dhe aq më pak të jetë paguar për këtë prej Berlusconit.

Megjithatë, prokuroria vendosi që të vazhdonte çështjen, në të cilën Berlusconi rrezikon tre vjet heqje lirie, duke hedhur dyshime mbi pretendimin se dhuratat dhe ndihmat financiare, drejtuar në atë kohë 17-vjeçares emigrante, nuk realizoheshin vetëm si shenjë e “vullnetit të mirë” të ish-kryeministrit, njëkohësisht një prej njerëzve më të pasur të Italisë.

”Nuk jam një prostitutë dhe nuk kam pasur kurrë marrëdhënie seksuale me Silvio Berlusconin”, deklaroi Ruby në një protestë personale jashtë gjykatës.

Njëkohësisht, në mediat italiane, kërcimtarja shprehu keqardhjen e saj për vendimin e gjykatës për mosdëgjimin e dëshmisë së saj.

Sipas akuzës, Ruby u pagua për marrëdhënie seksuale nga Berlusconi në vitin 2010, kur ishte vetëm 17 vjeç, ndonëse ish-kryeministri e njihte moshën e saj.

Marrëdhëniet seksuale me një minorene, kur mosha e saj njihet nga partneri, janë të ndaluara dhe përbëjnë vepër penale në Itali.

Top Channel