Francë, skandali financiar trondit Hollande

04/04/2013 15:20

Një skandal financiar kërcënon pozitat e Presidentit të Francës, François Hollande, pasi mediat vendase zbuluan se një bashkëpunëtor i tij investoi shuma të rëndësishme në dy kompani me qendër në ishujt Kajman.

Jean-Jacques Augier, i cili administroi fondet e fushatës zgjedhore të Hollande, pranoi skandalin, por këmbënguli në të përditshmen “Le Monde” se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në veprimet e tij.

Një veprim i tillë financiar, nga Augier, rrezikon të ngjallë irritimin kombëtar, pasi ndërsa qeveria e Hollande po ushtron presion për një rritje të madhe të taksave mbi fitimin për të gjithë shtetasit francezë, bashkëpunëtorët e presidentit shmangin taksat, duke zhvendosur të ardhurat e tyre në Kajman, i njohur si një lloj “parajse tatimore”, ku taksat janë minimale.

Ndërkohë, mediat kanë vendosur nën presion kabinetin ministror për të treguar nëse kishin dijeni për këtë evazion fiskal.

Ditën e mërkurë, në një reagim mbi këtë skandal financiar, presidenti Hollande iu drejtua kombit nëpërmjet një interviste televizive, duke premtuar ashpërsimin e ligjeve për deklarimin e pasurisë dhe kontrollin e financave të zyrtarëve, përfshi të gjithë ministrave.

Në lidhje me një skandal paralel, ish-ministri i Buxhetit, Jerome Cahuzac, u ngarkua penalisht me mashtrim, pasi pranoi fshehjen e 600 mijë eurove në një llogari bankare në Zvicër.

Top Channel