Argjentinë, mbi 50 të vdekur nga shiu

04/04/2013 00:00

Është rritur në 54 persona, numri i të vdekurve në qytetin e La Plata-s, në periferi të Buenos Aires-it, si pasojë e motit të tmerrshëm që ka përfshirë Argjentinën.

Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i provincës, Daniel Scioli, në një intervistë radiofonike. Erëra të forta kanë shkulur pemë nga vendi, kanë dëmtuar linjat e tensionit të lartë dhe shkulur çatitë e shtëpive në lagjet e varfëra, të njohura si “vilas miserias”.

Shirat e dendura kanë kaluar 40 centrilitër, sidomos në pjesën veriore të Buenos Airesit, ku reshjet kanë shkaktuar përmbytje masive, duke penguar lëvizjen e trenave, metrove dhe duke marrë me vete automjetet e parkuara.

Rreth 300 persona janë detyruar të evakuohen nga një periferi dhe sipas kryetarit të bashkisë, Mauricio Macri, në këtë kompleks jetojnë rreth 35 mijë vetë që kanë pësuar dëme për shkak të stuhisë.

Të paktën 2.500 persona të tjerë janë evakuar në zonën La Plata, qytet me 650 mijë banorë rreth 50 kilometra në jug të Buenos Airesit. Autoritetet kanë deklaruar se, alarmi nga moti i keq mund të mbetet në fuqi minimumi deri të enjten.

Top Channel