Aksidenti, nxirren nga lumi trupat e bashkëshortëve

04/04/2013 00:00

Janë gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin trupat e viktimave të aksidentit të së mërkurës. Kanë qenë familjarët ata që kanë nxjerrë nga uji gjatë orëve të para të mëngjesit trupin e 19-vjecares Albina Karaj, ndërkohë që pas ndërhyrjes së polumbarëve është gjetur edhe trupi i 30-vjecarit Ismet Karaj.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë parë trupin e 30-vjecarit në lumë dhe kanë lajmëruar polumbarët të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e tij. Trupi i tij u gjet në Labinot-Fushë, pranë Malit të Vashës rreth 15 km nga vendi i aksidentit.

Është dashur apeli i të afërmve të viktimave që polumbarët t’i riktheheshin kërkimeve mesditën e së mërkurës dhe pas rreth 2 orësh, me ndihmën edhe të banorëve kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit. Ndërsa trupi i 19-vjecares u gjet rreth 2.5 km nga vendi ku ra makina.

Ishin familjarë dhe të afërm nga fshati Dardhë i Librazhdit ata që nisen kërkimet që në orët e para të mëngjesit duke bërë të mundur edhe gjetjen e njërit prej trupave.

Ata u shprehën të revoltuar për mungesën e forcave të policisë dhe të polumbarëve deri në mesditë duke bërë apel njerëzor për ndërhyrje.

Çifti nga fshati Dardhë i Librazhdit i cili gjeti vdekjen në këtë aksident tragjik kishte edhe një foshnje 1-muajshe të cilin e kishin nën kujdes prindërit e 19-vjecares.

Mjeti tip benz me targa AA 655 GB i cili udhëtonte nga Librazhdi drejt Elbasanit ra në ujërat e lumit Shkumbin në vendin e quajtur ura e Murrashit pas një humbje të kontrollit.

Fillimisht u dyshua për një tjetër shtetas që posedonte këtë mjet, duke shkaktuar konfuzion tek familjarët, por policia sqaron se mjeti në fjalë ishte targuar vetëm gjatë ditës së djeshme kur edhe ndodhi aksidenti.

Mendohet se shkak i aksidentit të rëndë ka qenë lëvizja me shpejtësi në këtë aks i cili është gjithmonë problematik për rreshqitjen e gurëve. Drejtuesi i mjetit është përpjekur të shmangë gurët në rrugë, por fatkeqësisht ka përfunduar në lumë.

Top Channel