Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të zhvillohen ndërmjet 15 shtatorit dhe 15 dhjetorit. Ky është afati i parashikuar me ligj, por data e saktë e zgjedhjeve lokale pritet të përcaktohet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila është duke mbajtur takime me partitë politike, parlamentare dhe jo parlamentare.

Sipas zëdhënësit të Presidencës, Arbër Vllahiu, mësohet se është duke u diskutuar kryesisht për një afat të vjeshtës së hershme.

“Unë mund t’ju flas për përgatitjet paraparake deri tani, se çfarë është bërë dhe çfarë synohet të bëhet. Por mund t’ju them se, përafërsisht me të gjitha partitë politike parlamentare dhe subjektet tjera është duke u folur kryesisht për një afat të vjeshtës së hershme”, tha Arbër Vllahiu zëdhënës i Presidencës.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila të martën u takua me presidenten Jahjaga për të diskutuar për këtë temë, thotë për Top Channel se tashmë janë duke i bërë përgatitjet fillestare, ndërsa janë duke pritur shpalljen e datës së zgjedhjeve.

“Të gjitha janë brenda afateve ligjore. Besoj, që shumë shpejt do të kemi datën dhe pastaj do të fillojmë edhe përgatitjet, ashtu siç parashikohet me ligj”, u shpreh Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Duke folur për zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës, zonja Daka thotë se janë duke pritur arritjen eventuale të ndonjë marrëveshjeje në Bruksel, dhe pas saj do ta kenë më të qartë rolin e KQZ-së dhe të tjerëve në këtë proces.

“KQZ është organi i vetëm, i cili organizon zgjedhje në Kosovë. Natyrisht, neve ligji na mundëson që, në partneritet me organizatat e tjera, të organizojmë zgjedhje dhe besoj që pavarësisht nga kjo, pasi të kemi ndonjë marrëveshje eventuale me Serbinë. E dimë që sot po mbahet takimi në Bruksel, pas kësaj do ta kemi më të qartë të gjithë rolin, edhe të KQZ-së edhe të të tjerëve”, shtoi Valdete Daka.

Për zgjedhjet lokale edhe në komunat në veri të Kosovës, nga kabineti i presidentes thonë se synimi është, që zgjedhjet të mbahen në tërë territorin në një datë të njëjtë.

“Presidentja është ajo që shpall zgjedhjet lokale dhe institucionet e tjera organizojnë zgjedhjet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Synimi është që zgjedhjet lokale të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në një datë apo në një afat të njëjtë”, tha Arbër Vllahiu.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në nëntorin e vitit 2009.

Top Channel