Topi: Politika shqiptare, terren sizmik

03/04/2013 00:00

“Politika shqiptare i ngjan një terreni sizmik një toke të re që karakterizohet nga lëkundje sizmike shumë frekuente”.

Kështu ka deklaruar kreu i FRD-së, Bamir Topi gjatë një bashkëbisedimi me studentët nga ku ka kritikuar dy forcat kryesore politke në vend.

“Këtu jo vetëm që janë dy vertebra pa disk në mes, por janë dy vertebra të atrofizuara, në stadin më ekstrem të reaumatizmës, që po i japin një dhimbje të jashtëzakonshme organizmit. Dhe kush është organizmi? Është Shqipëria, është shoqëria”, deklaroi Topi.

Zoti Topi kritikoi edhe modelin elektoral që aplikohet në Shqipëri. “Shqipëria nuk i ka kushtet sot për bipolarizëm, sepse në bazë të ndryshimeve kushtetuese këta të dy që i bënë, këta vazhduan prapë të bëjnë një model zgjedhor ku vota e shqiptarëve nuk është e barabartë, ku partitë politike nuk futen në një start, ku mënyra e kalkulimit të rezultatit është ashtu siç duan dy partitë e vjetra”, tha Topi.

“Pra, kanë ndërtuar në mënyrë të paragjykuar një model i cili nuk i shkon Shqipërisë. Shqipërisë në këndvështrimin tim, i shkon më shumë një model pluralist, ku asnjë të mos ketë shansin apo mundësinë që të kthehet në monark, mbi bazën e 71 votave”, theksoi kreu i FRD-së.

FRD: LSI, simbol i korrupsionit

Ndërkohë, gjatë pasdites së të mërkurës Topi ka zhvilluar një takim me strukturat e qarkut të Fierit, prej nga ka deklaruar se përgjegjësit e tragjedive të Gërdecit dhe 21 janarit janë ende të pandëshkuar.

Në takim ka folur edhe nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, i cili ka komentuar largimin e LSI nga koalicioni qeverisës.

“Partia e Ilir Metës është simbol i korrupsionit. LSI ka shërbyer si një patericë e Berishës. Rivalët tanë po e shndërrojnë politikën në moçal”, ka thënë Biberaj.

Top Channel