Në Bruksel përfundoi pa marrëveshje raundi i tetë i dialogut për normalizimin e mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas 12 orë negociatash me delegacionet e kryesuara nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, ndërmjetësuesja e BE-së Catherine Ashton njoftoi dhënien fund të takimeve formale, në pritje të një vendimi përfundimtar nga palët në ditët në vijim.

“Kjo është hera e fundit që ne takohemi formalisht. Mbi tavolinë u vunë një numër propozimesh. Hendeku mes dy palëve është shumë i ngushtë, por i thellë. Ata do të kthehen në kryeqytetet e tyre që të konsultohen me kolegët, e do të më bëjnë të ditur në ditët në vijim vendimin e tyre”, tha Ashton.

Megjithë optimizmin dhe cilësimin si ditë historike, bisedimet dështuan pasi Catherine Ashton nuk arriti të bindë palët për një marëveshje mbi kompetencat dhe funksionimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë.

Pas takimit, Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se ai ishte gati për marrëveshje, ndërsa akuzoi palën serbe si të painteresuar dhe të papërgatitur për dialog. Takimet e ardhshme të mundshme do të varen nga vendimet që do të merren në Beograd dhe Prishtinë mbi propozimet e Ashton.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel