Paskal Milo, kreu i Demokracisë Sociale, tha të enjten se partitë aleate të PS presin të marrin shpjegime për ftesën që Edi Rama i dërgoi për koalicion Ilir Metës.

“Thelbin e kësaj aleance ne presim të na e shpjegojë kryetari i PS, Edi Rama dhe pas kësaj ne do t’i japim mendimin tonë për gjithçka që do të ketë të bëjë me zgjerimin e aleancës me aktorë të rinj”, deklaroi Milo.

Ai ka shtuar se, aleatët janë në pritje të shohin se si investimi i tyre 8-vjeçar me Partinë Socialiste si do adresohet dhe do të shpjegohet nga kryetari i opozitës.

Mediu: Largimi i LSI, shans i ri

Ndërkohë, Partia Republikane zhvilloi aktivin e degës së Tiranës. Kryetari Fatmir Mediu komentoi pritjen e daljes së LSI-s nga koalicioni qeverisës.

“Dalja e LSI nga koalicioni nuk përbën asnjë dramë dhe është një shans i ri për të djathtën për të fituar zgjedhjet. Duhet një partner i ri dhe serioz tek e djathta. Ne kemi rrugën tonë të përbashkët që duhet të ndjekim për shqiptarët”, deklaroi Mediu.

FRD: LSI, simbol i korrupsionit

Gjatë pasdites së të mërkurës, kreu i FRD, Bamir Topi ka zhvilluar një takim me strukturat e qarkut të Fierit, prej nga ka deklaruar se përgjegjësit e tragjedive të Gërdecit dhe 21 janarit janë ende të pandëshkuar.

Në takim ka folur edhe nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, i cili ka komentuar largimin e LSI nga koalicioni qeverisës.

“Partia e Ilir Metës është simbol i korrupsionit. LSI ka shërbyer si një patericë e Berishës. Rivalët tanë po e shndërrojnë politikën në moçal”, ka thënë Biberaj.

Top Channel