“I mirëkuptoj të gjithë ata, që ndiejnë një shije balte në gojë, teksa, mesa duket, po mësoheshin me shijen e mjaltit të Rilindjes”.

Me këto fjalë, Edi Rama e nis editorialin, publikuar në blogun e tij, pas një mori komentesh me kritika, për ftesën drejtuar Ilir Metës në ndërtimin e një koalicioni të majtë. Rama i quan këto komente si “reagimet frenetike”, të cilat nuk i erdhën papritur.

Për shkak se ëndrra e Rilindjes funksionon pozitivisht në imagjinatën e shumëkujt, shkruan Rama, duket sikur plot njerëz e kanë harruar që Rilindjen reale, atë të prekshmen përmes zbatimit të programit, PS mund ta bëjë realitet, vetëm përmes pushtetit, jo përmes prezantimeve të fushatës.

“Jam i bindur se askush, asnjë njeri normal, që do ndryshimin në 23 qershor, nuk do ta ndërronte ikjen e Saliut, me një ëndërr ende të parealizuar si kjo”, nënvizon Rama. Sipas kreut të PS, ëndrra e Rilindjes kanoset nga një rrezik serioz dhe kështu ajo mund të avullojë, nëse  zgjedhjet grabiten përsëri, duke lënë pas, te të gjithë pa përjashtim, një zhgënjim shumë më të hidhur, sesa qershori 2009 apo 8 maji 2011 në Tiranë.

Rama jep këndvështrimin e tij argumentues, përse zgjedhjet e qershorit janë në rrezik dhe shpëtimi është rrethimi i kryeministrit në ikje me një koalicion me LSI-në.

“Unë, 23 qershorin e shoh si ditën, kur Saliu do të tentojë, në gjithë Shqipërinë, 8 majin e Tiranës 2011. S’ka qenë shumicë asnjëherë, qysh pas vitit 1992. Është vjedhës zgjedhjesh me damkë ndërkombëtare. Ka përgatitur planin, që të vjedhë përsëri: ka shtetin më të politizuar të kontinentit; paranë e pistë për korrupsion masiv zgjedhor; policinë më krahinariste, që mund të imagjinohet; shërbimin sekret, të kthyer rishtaz në polici politike; ka repartet e manipulatorëve të importuar, që lëvizin qendër më qendër me karta identiteti fallco; ka të gjitha vrimat e botës së errët të krimit, prej ku dalin urithët elektoralë, që trembin njerëz; ka, për më tepër, edhe fukarallëkun e periferive e të fshatit në favor. Po, po, fukarallëkun (!), aty ku komisioneri dorëzohet, përpara parave që s’i ka parë kurrë. Aty ku familja e varfër dorëzohet, përballë shantazhit të heqjes së ndihmës ekonomike. Aty ku fukarai i pashpresë dorëzohet, përpara thesit me miell a një kartëmonedhe, se nuk beson më dot në asgjë. Një plan i tërë për ta përmbysur, si kala rëre, me vota të vjedhura, frymën, moralin, rilindjen, që sot po përdoren si fjalë të tradhëtuara prej meje, sepse Shqipëria reale e zgjedhjeve nuk ngjan kurrkund, me atë që merret me mend edhe prej komentatorëve më të përfshirë, në këtë historinë dramatike të zgjedhjeve shqiptare”, shkroi Rama.

“Ju lutem, mos harroni se duhet të mundim Saliun dhe ky sot, bashkimi me LSI, – vijon Rama, – është për ne vetëm fillimi i duhur, jo fundi i një beteje finale që do të luhet për çdo votë, deri në dekikën e fundit të procesit elektoral”.

“Unë besoj me gjithë zemër, se ardhja sot e LSI-së në koalicion nuk është fundi, por vazhdimi i natyrshëm i një historie të re, që ka nisur me projektin e një Rilindjeje shqiptare. I një historie, që kalon nga Fitorja dhe Vetëm Fitorja e 23 qershorit, si parakusht për të shkuar më tutje me Rilindjen. Unë vetë besoj, po ashtu, që LSI nuk do ta pengojë këtë projekt, ashtu siç besoj se, nga ky bashkim nuk do të lindë një pjellë e re e së shkuarës, po një qeverisje e mirë për të ardhmen. Por, sidoqoftë, këtë do ta tregojë koha dhe për këtë, çdo dyshim i sotëm është i shëndetshëm e mbajeni në xhep”, përfundoi Rama.

Top Channel