Pas Asllan Dogjanit një jetër deputet socialist i largohet PS. Ai është deputeti Gjovalin Kadeli, i qarkut të Lezhës, i cili njoftoi largimin mbrëmjen e së mërkurës.

I kontaktuar me telefon nga Top Channel, zoti Kadeli tha se largimi i tij nga PS ka vetëm një motiv, lënien jashtë liste për t’u rikandiduar si deputet në zgjedhjet e qershorit.

“Kontributi im në PS mbyllet këtu. Më largoi vetë Edi Rama. Rama po më zëvendëson në listë me njerëz pa kontribut në PS”, theksoi ai.

Deputeti Dogjani ikën nga PS

Deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani deklaroi të martën largimin nga kjo parti. Ai tha se u detyrua të largohej pasi nuk do të jetë më në listën e kësaj partie për deputet dhe për shkak të aleancës së saj me LSI-në.

“Bëra me dije vendimin në grupin parlamentar dhe arsyet se përse unë sot deklaroj të shkëputem, ose më saktë më detyroi të largohem nga Partia Socialiste kryetari i PS-së Edi Rama, për shkakun që nuk kam marrë në konsideratë vlerat, kriteret, parimet e demokracisë. Në mbledhjen e grupit kundërshtova vendimin për koalicionin me LSI-në. Shoh që një koalicion i tillë do t’i zhgënjejë socialistët shqiptarë”, tha Dogjani.

Ai shtoi se do të kandidojë si i pavarur në zonën e tij, në Kukës. “Duke kandiduar si i pavarur, unë do të kem mundësi përsëri që të mbroj të drejtat, liritë dhe vlerat e demokracisë, por edhe të qytetarëve shqiptarë, qytetarëve kuksianë”, tha Dogjani.

Top Channel