Obama insiston për reformën mbi armët

03/04/2013 21:35

“Kongresi të nxitojë dhe të aprovojë një reformë që modifikon rrënjësisht rregullat për armëmbjajtjen dhe redukton dhunën në Amerikë. Këtë na i kërkon morali”.

Është ky mesazhi që Barack Obama ka bërë në Denver të Kolorados, pak kilometra larg kinemasë së Aurorës, ku marrëzia e James Holmes shkaktoi një masakër të vërtetë në premierën e filmit “Batman”.

Presidenti ka përsëritur kështu presionin e tij mbi Capitol Hill, me qëllim që të mos humbasë efektin emotiv që ka çuar miliona amerikanë, sidomos pas masakrës në shkollën në Konektikat, që të mbështesin për herë të parë në histori kufizimin e armëve të zjarrit.

Dy ditë më parë prokurorët kërkuan dënim me vdekje për James Holmes, i akuzuari për masakrën në një kinema të Aurorës.

Lajmin e bëri të ditur vetë pala e akuzës, e cila sqaroi se kishte refuzuar ofertën e Holmes për t’u vetëshpallur fajtor nëse do t’i sigurohej burgimi i përjetshëm.

Holmes akuzohet se, i veshur si personazhi Joker, vrau 12 persona dhe plagosi 70 të tjerë 20 korrikun e kaluar në lokalitetin e Aurorës, në Kolorado.

Sipas raportimeve të shtypit amerikan, avokatët e tij do të përpiqen të tregojnë se në momentin e të shtënave Holmes nuk ishte i aftë mendërisht.

Top Channel