Ministrat e rinj pas largimit të LSI-së

03/04/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha e ka ndryshuar disa herë qeverinë e tij, por
asnjëherë nuk kishte patur rastin të shpallte emrat e ministrave të rinj
në Facebook. Përdorimin për këtë qëllim, të kësaj risie të komunikimit,
ia dha Ilir Meta, pas pranimit publik të ftesës për koalicion me
Partinë Socialiste.

Pothuajse dy orë pas këtij vendimi, propozimet e kryeministrit për ministrat e rinj ishin të gjithë emra suprizë. Dhe në këtë pikë, Sali Berisha provoi edhe një herë se është i paparashikueshëm. Ai transferoi Aldo Bumçin, minister i Kulturës dhe Turizmit, në postin e ministrit të Jashtëm. Aldo Bumçi ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare dhe besohet se kjo është arsyeja, përse kryeministri ka bërë këtë zgjedhje.

Surpriza e dytë ishte poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili do të zëvendësojë Aldo Bumçin në postin e ministrit të Kulturës. Visar Zhitin, kryeministri Berisha e vlerëson si “përfaqësues të elitës kulturore të kombit, të persekutuar nga regjimi komunist” dhe, si një “ish i burgosur i fjalës së lirë, i dënuar me 13 vite burg, ai ka ndjeshmërinë, vëmendjen dhe përkushtimin për trashëgiminë kulturore, si dhe për të përgatitur sezonin e ri turistik”, -shkruan kryeministri Berisha.

Surpriza e tretë është ministri i Shëndetësisë, post në të cilin ka propozuar mjekun e njohur gjinekolog, Halim Kosova. Në këtë emërim, kryeministri veçon te Dr. Kosova gjendjen e tij të paangazhuar më parë në politikë.

“Vështirë të ketë një zgjedhje më të mirë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor në vend”, – thotë kryeministri Berisha për Halim Kosovën, emrin e të cilit e shoqëron edhe me cilësimet si, i pakorruptuar, i përkushtuar dhe menaxher i suksesshëm.

Surpriza e katërt është deputeti Florion Mima, i vlerësuar nga kryeministri si ideator i shumë reformave për lehtësimin e taksave për qytetarët dhe biznesin. Kryeministri thotë se zoti Mima ka vullnet të palëkundur për zbatimin e programit të Partisë Demokratike, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për paga më të mira.

Me vlerësim maksimal, kryeminisitri Berisha shprehet edhe për ministrin e tij të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili është propozuar të ketë edhe postin e zëvendëskryeministrit.

E enjtja pritet të jetë një ditë, sërish intensive për poilitikën. Besohet se gjatë ditës, dekretet e presidentit do të hidhen në votim, gjatë të cilit do të verifikohet edhe mazhoranca e re parlamentare, e deklaruar të martën në mbrëmje nga kryeministri Sali Berisha.

Top Channel