Meta: Pranojmë ftesën e PS-së

03/04/2013 18:20

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka konfirmuar në një konferencë për shtyp atë që pritej, pranimin e ftesës për bashkëpunim të bërë nga Partia Socialiste.

Gjatë fjalës së tij, Meta ka deklaruar se LSI kalon zyrtarisht në opozitë dhe se prioriteti i saj në këtë bashkëpunim të ri do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE.

“E cilësojmë të përfunduar bashkëpunimin me PD. Nga ky moment ne jo vetëm do të tërhiqemi nga të gjitha funksionet qeverisëse, por njëkohësisht, duke u deklaruar si forcë në opozitë, do punojmë për realizimin e një marrëveshjeje parimore me PS, jo vetëm për fitoren më 23 qershor, por edhe për stabilitetin e vendit dhe për një dinamikë të re për integrimin në BE”, ka deklaruar Meta.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Meta ka nënvizuar se, fakti që LSI pranon ftesën e PS nuk do të thotë se ajo ndan me të të njëjtat mendime dhe vlerësime për të kaluarën dhe të sotmen.

Ai është shprehur se të kaluarën, në të cilën mes tij dhe kreut të PS Rama ka pasur shkëmbim akuzash të forta, u takon të tjerëve ta analizojnë.

“Ne nuk synojmë të rishkruajmë historinë e së kaluarës. LSI është një forcë e majtë, që i takon familjes socialiste evropiane. Me të kaluarën u takon të merren historianëve e analistëve”, ka thënë Meta.

Ai ka vlerësuar se, koalicioni i deritanishëm qeveritar i ka përmbushur objektivat kryesorë, por vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik.

“Falenderoj kryeministrin Berisha. Ka qenë një bashkëpunim i qëndrueshëm në rrethana jo të lehta dhe që do t’i vlejë si eksperiencë politikës shqiptare”, ka vijuar kreu i LSI.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Meta ka shtuar se, LSI asnjëherë nuk e ka konsideruar KQZ-në si një institucion politik dhe angazhimi i saj do jetë që KQZ të funksionojë në bazë të ligjit dhe Kodit.

Ndërsa përsa i takon qëndrimit të LSI në këshillat bashkiakë, ai ka thënë se, “ne nuk synojmë të politizojmë qeverisjen vendore, që është e ndryshme në qytete e rajone të ndryshme. Kjo do jetë kompetencë e të zgjedhurve vendorë”.

Top Channel