
Mbledhja e së mërkurës ishte hera e fundit që Sali Berisha rrethohej nga ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të mërkurën e ardhshme ata nuk do të jenë më të ulur në tryezën e Këshillit të Ministrave, pas pranimit nga LSI-ja të ftesës së Partisë Socialiste.
Kryeministri Berisha ka bërë propozimet për zëvendësimin e tyre dhe ndoshta nesër do të jetë rasti për të provuar mazhorancën e re në Parlament, pa LSI-në, mazhorancë për të cilën kryeministri Berisha tha se ekziston, kur foli për riformatimin e qeverisë në bashkëbisedimin me gazetarët.
Mbledhja e fundit e qeverisë në praninë e përfaqësuesve të ekzekutivit kaloi e qetë, pa batuta apo komente mes kolegësh, edhe përpara se të vinte kryeministri. Edhe ai vetë nuk bëri ndonjë koment apo batutë për qeverinë që do të ndryshohet. Ndoshta sepse këtë e kishte bërë më herët.
Berisha premton mbështetje të industrisë së përpunimit
Në mëngjes kryeministri vizitoi një stabiliment peshku në afërsi të Durrësit dhe nuk la t’i rrëshqiste nga duart rasti i batutës, pasi u ndal tek një vasketë me ngjala, të cilat asociohen me darkën e vitit të kaluar në Gjirin e Lalzit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.
“Ne le të ecim drejt mandatit të sigurtë, drejt mandatit të tretë. T’u lemë atyre ngjalat që unë sapo i pashë poshtë”, deklaroi Berisha.
Në stabilitetin e peshkut në Durrës, kryeministri tha se në programin e Partisë Demokratike parashikohen disa masa për shndërrimin e industrisë së peshkut në një degë të rëndësishme të ekonomisë.
Ky projekt bazohet në heqjen e çdo detyrimi tatimor për materialet e importit, në subvencionimin e rasatit dhe dhënien e kredive të buta për ata që duan të investojnë në këtë sektor.
“Reformat e reja të cilat në kemi ndërmarrë këto muajt e fundit dhe që do të ndërmarrin fill pas zgjedhjeve janë dhe do të jenë një nxitje tjetër e fuqishme për rritjen ekonomike, të të ardhurave dhe për rritjen e punësimit. Ky mandat është i një rëndësie vendimtare për hapin përfundimtar”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha, këto janë masa që përfshihen në programin për zhvillimin e Shqipërisë rurale, që parashikon hapjen e rreth 30 mijë vendeve të reja të punës.
Top Channel