
Edhe pse u miratua me shpejtësi, ligji për menaxhimin e mbetjeve nuk po gjen zbatim. Fatura financiare për implementimin e tij është 250 milion euro, para këto që duhet të dalin nga buxheti i shtetit edhe përmes tarifave që çdo qytetar duhet të paguajë çdo vit.
“Fatura financiare është përllogaritur dhe është rreth 200 250 milion euro, implementimi komplet i ligjit dhe i standardeve të BE-së. Ndërsa nga pikëpamja e këtyre treguesve që ne po themi, të riciklimit, ligji dhe strategjia kombëtare parashikon që deri në 2015 të riciklohen rreth 20 përqind e mbetjeve dhe deri në 2020 të riciklohen rreth 55 përqind të mbetjeve”, thotë Drejtori i Politikave në Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi.
“Vërtet sistemi i grumbullimit sot varet nga pushteti vendor dhe ai nëpërmjet taksave që mbledh duhet të bëjë procesin e dërgimit deri në landfilde, ndërkohë që i gjithë sistemi pra landfildet ose inceneratorët duhet të jetë një proces i drejtuar nga shteti. Studimi është bërë në bashkëpunim me BE për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që nuk ka asnjë hap konkret për ngritjen e landfildeve”, thotë ambientalisti Zamir Dedej.
Zbatimi i ligjit duhet të shtrihet në çdo komunë dhe bashki e cila duhet të përcaktojë vend-grumbullimet dhe formën e grumbullimit të mbetjeve të cilat duhet të kenë si destinacion final ripërdorimin dhe riciklimin, një mënyrë për të gjeneruar para. Kjo strategji duket ende shumë e largët, edhe pse në komuna si Bushati, nuk funksionon pasi tarifat për mjedisin janë të ulëta dhe nuk mblidhen fare.
“Përgjegjësia për menaxhimin e mbetjeve mbetet në nivelin e komunave dhe bashkisë. Cdo komunë dhe bashki që është pjesë e një skeme nacionale duhet të përmvushë detyrimet ligjore për të menaxhuar mbetjet. Kjo do të thotë që nëse ndërtohet një skemë rajonale duhet të bëhet pjesë e kësaj skeme, nëse ndërtohet një landfil rajonal, secili nga këto duhet të bëhet pjesë e kësaj skeme dhe të dërgojë mbetjet në landfilin që do ndërtohet”, thotë zoti Abeshi.
“Sigurisht që duhet të ndërtohen politika më të forta për grumbullimin, por nga ana tjetër qytetari duhet të shohë investimit. Pra nëse unë sot paguaj një taksë të caktuar që është vendosur nga bashkia apo komuna unë nuk mund të pranoj logjikën që mbetjet dhe kazanët të jënë plot me plehra dhe nuk mund të vazhdoj të pranoj logjikën që shteti akoma nuk po gjen një zgjidhje si për Tiranën dhe qytetet e tjera për të hapur landfile të reja ose për të përcaktuar politika të duhura për vend-depozitimet”, thotë nga ana tjetër ambientalisti Dedej.
Në Tiranë mbetjet që grumbullohen nga firmat e pastrimit çohen në Sharrë, ku një firmë private bën pastrimin e mbetjeve që shkojnë për riciklim. Por nuk ka filluar asgjë lidhur me ndarjen në burim, me pajisjen e të gjitha zonave me kosha, por edhe me vendosjen e rregullave më të forta ndaj firmave të pastrimit.
Ndërsa ka një ligj shumë të mirë për menaxhimin e mbetjeve, në Shqiperi ato ende nuk hidhen në kazane dhe duket se i vetmi që ka përfunduar në kazan është vetë ligji që u miratua me shumë bujë.
Top Channel