Ftesa që kryetari i “Partisë Socialiste”, Edi Rama i drejtoi “Lëvizjes Socialiste për Integrim” për të qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor ka shkaktuar reagime të forta mes aleateve te socialistëve.

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi u deklarua kundër kësaj aleance, duke thënë se kjo është një lojë e LSI-së për të fituar vota për llogari të Berishës.

”PSD denoncon lëvizjen më të fundit të LSI-së, e cila përpiqet që në lojën e saj të çajë edhe një herë të majtën, të bëjë diversion të së majtës dhe të marrë vota të së majtës për Berishën. Nëse LSI do të jetë pjesë e koalicionit, kjo nuk do të thotë që duhet të ketë pëlqimin e PSD-së. Nëse e djathta është damkosur me fytyrën e Berishës, duan të damkosin të majtën me atë të Ilir Metës”, komentoi zoti Gjinushi.

Për Petro Koçin, ky koalicion dëmton Partinë Socialiste.

“Mendoj se është një marrëveshje që i krijon një hapësirë më të madhe të LSI në elektoratin e majtë dhe mund të rrezikojë elektoratin socialist ose votat për PS-në. E vetmja pikë që mund të justifikojë një veprim të tillë është rotacioni politik dhe kuptohet që ne kemi bërë gjithçka në këto vite për të realizuar këtë gjë. Nëse Meta është një garant i Berishës për të mos u hetuar nesër, atëherë kemi të bëjmë me një marrëveshje që është në kurriz të drejtësisë dhe në dëm të interesave të publikut. Unë nuk besoj që të jetë kështu”, tha Koçi.

Ndërsa Preç Zogaj shkon edhe më tej duke deklaruar se ftesa nda LSI-së është një gabim i rëndë i Edi Ramës dhe shton se pas këtij hapi do të rishikojë pozicionin e tij në raport me këtë koalicion.

“T’i jepet një mundësi publikut që të gjykojë me votë historinë politike të pashembullt të LSI-së dhe Rama nuk ka të drejtë t’ia heqë publikut këtë mundësi duke e futur LSI-në në autobusin e Partisë Socialiste. Ky lloj koalicioni ka disa efekte që duhen mbajtur shënim. Bie opozita e bashkuar si nocion, bie katervjeçari politik, bie “Rilindja” si emri i alternativës socialiste, bien në idetë e aleancës anti-regjim, bie kuptimi i garës politike si një garë midis opozitës dhe qeverisë, sepse tani janë përzier të gjithë filmat dhe mbetet për t’u përcaktuar cfarë lloj gare do të bëjnë”, tha Zogaj.

Dritan Prifti, ish-ministër dhe deputet i LSI më parë dhe tani deputet i pavarur pranë qëndrimeve të opozitës ka deklaruar se distancohet nga kjo marrëveshje.

Sipas Priftit, Meta beri nje levizje taktike per interesa te partise se tij duke siguruar 4 deputete nga listat e PS dhe mbeshtetje per 6 kandidate te tjere neper qarqe.

Ndersa per PS-në, Prifti thote se tradhetoi interesat e opozites. “Rama dhe Meta barazohen ne syte e  shqiptareve dhe nuk ka asnje dallim mes Rames, Metes dhe Berishes. Politika”, shprehet Prifti, “duhet te siguroje aleanca te reja per t’i dhene shqiptareve nje alternative te paster, larg pazareve per karrige”.

“Koalicioni PD-LSI forcoi Berishen”
Topi: Shpresoj qe te jete kuptuar falsiteti i politikes

Largimin e LSI-së nga koalicioni qeverisës dhe ftesën e Ramës për t’iu bashkuar PS-së e ka komentuar edhe kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi.

”Tek e fundit, koalicioni PD-LSI dha forcimin e pushtetit të kryeministrit për të dominuar gjithçka. Për fat të mirë, 23 qershori është afërm, uroj që shqiptarët të kenë kuptuar më së fundmi falsitetin e politikës, e t’i drejtohen forcave politike serioze, që në fillim mendojnë të krijojnë shtet dhe më pas pushtet”, tha Topi.

Dule: Së shpejti vendimi për koalicion

Për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit, por edhe strategjitë parazgjedhore të partisë së tij, në studiot e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte i ftuar Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së.

Ilir Paço: Sapo kemi ndjekur reagimet e para të opozitës për aleancën ndoshta të re mes PS dhe LSI. Cili është komenti juaj lidhur me zhvillimet më të fundit në lidhje me këtë afrim PS-LSI?

Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ: Partitë politike nuk komentojnë njëra-tjetrën. Është një vendim i PS për ftesë bashkëpunimi LSI. Ajo që ne na intereson është përmbajtja që këto dy parti do t’i japin bashkëpunimit të tyre duke qenë se edhe ne jemi në prag të vendimmarrjes, që ta kemi parasysh këtë.

Ilir Paço: Ju keni qenë vetë një aleat me zotin Rama, cilat ishin arsyet që e larguan PBDNJ nga PS dhe opozita e bashkuar pasi qendruat bashkë për katër vite?

 
Dule: Kemi një keqkuptim. PBDNJ bashkëpunoi me PS në 2009. I fituam zgjedhjet me përgjegjësinë e PS se nuk mbrojtëm fitoren. Pas zgjedhjeve nuk kemi patur asnjë bashkëpunim, asnjë marrëveshje me PS. Kemi koordinuar aksionin tonë politik në rastet që kemi ndarë të njëjtat qendrime politike. Në këtë bilanc marrëdhënie PBDNJ ka kontribuar në 80 përqind të rasteve politikat e PS në kohën që PS zor se gjendet një rast që ka mbështetur një qendrim politike për fizionominë e PBDNJ. Arsyeja është se PBDNJ është forcë politike luajale, mbetet dhe pret përgjigjen nga kjo e fundit.

Ilir Paço: Kemi mësuar se një nga arsyet që zoti Meta mund të ketë paraqitur te kryeministri Berisha për ikjen nga qeveria dhe afrimin e tij me PS ka qenë fakti se dështoi ideja e një poli të tretë. Cilat janë arsyet e këtij dështimi? Cfare bisedimesh janë bërë mes jush dhe zotit Meta apo zotit Topi?

Dule: Është një element i ri dhe shumë i rëndësishëm. Kjo lëvizje, dhe nuk dua të përcaktoj ndryshimet numerike dhe të gjitha debatet përqendrohen tek politika parlamentare. Një klasë politike serioze, para se të diskutojë aritmetikën parlamentare, diskuton përmbajtjen politike. Poli i tretë nuk dështoi. Personalisht jam shprehur se do ishte një ide shumë interesante për të thyer bipolaritetin. Jemi të dështuar si klasë politike në realizimin e objektivave strategjike dhe poli i tretë do të jepte një gjallëri jetës politike në vend.

Ilir Paço: Ku e sheh veten PBDNJ tani? Cfarë elementesh do të përcaktojnë pjesëmarrjen e PBDNJ-së në një koalicion? A do të afroheshit sërish me Partinë Socialiste dhe cilat janë kushtet tuaja për këtë? Pak caste më parë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha ju ftoi si PBDNJ për të qenë pjesë e maxhorancës pas ikjes. Si do i përgjigjeni kësaj ftese?  

Dule: PBDNJ është në komunikim politik me të gjitha forcat politike në vend. Edhe kur ka qenë në qeverisje me PD, PBDNJ e ka mbajtur të hapur rrugën e bashkëpunimit me PS. Jemi parti e hapur që nuk kemi frikë nga dialogu. Asnjëra prej këtyre dyjave nuk qendron në këtë rast.

Ilir Paço: Ca elementësh përcaktojnë pjesëmarrjen e PBDNJ në koalicion?

Dule: Programi, qendrimet tona politike, sistemi i vlerave dhe morali janë ato që ne mbështesim dialogun me forcat e tjera politike. Nuk kërkojmë integrim europian si slogan, por europianizim kërkojmë ne, që duhet të nisë nga vetë forcat politike. 

Top Channel