Raundi i 8-të i dialogut mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë nisi rreth orës 10:30 në Bruksel.
Ndërmjetësuesja
Catherine Ashton zhvilloi fillimisht, e përreth dy orë, një takim me
delegacionin serb, për të vijuar me një takim të shkurtër me
delegacionin nga Kosova.Takimi i përbashkët me kryeministrat Hashim
Thaçi dhe Ivica Daçiç, për një marrëveshje të arritshme siç u shpreh
Ashton një ditë më parë ka nisur rreth orës 14:00.

Përfundimi i këtyre bisedimeve do të varet nga pajtimi i palëve mbi kompetencat dhe funksionimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Sipas burimeve të BE-së, sot nuk pritet firmosja e ndonjë dokumenti të mundshëm, por shpresohet arritja e një marrëveshjeje në parim.

Në kohën kur pala serbe vijon të mbajë qëndrime të kundërta nga ato të palës shqiptare nga Kosova, para hyrjes në ndërtesën e shërbimit të jashtëm evropian, ku zhvillohen bisedimet, kryeministri Thaçi u shfaq optimist ndërsa deklaroi se “kjo është një ditë historike për Kosovën”.

Ashton: Marrëveshja e arritshme, por jo e lehtë

Një ditë më parë ishte vetë Catherine Ashton që u shpreh optimiste se kryeministrat Thaçi dhe Daçiç do të arrijnë një marrëveshje, e cila sipas saj është e vështirë por jo e pamundur.

“Besoj se marrëveshja është e arritshme, megjithëse nuk do të jetë e lehtë. Por, në nisje të gjithë e dinim se do të ishte e vështirë dhe se do të kërkonte lidership të fortë politik”, tha Ashton përmes zëdhënëses së saj Maja Koçijançiç.

“Besoj se nesër ata do të vijnë në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje, në interesin më të mirë të njerëzve që përfaqësojnë dhe për të ndihmuar në ofrimin e një të ardhmeje më të mirë, për të gjithë ata. Ne nuk duhet të lejojmë të na ikë ky shans”, vijoi ajo.

Nulland: Besojmë tek suksesi i proçesit

Edhe zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nulland shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe shpresën për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.

“Ne mbështesim vazhdimin e këtij dialogu. Ne shpresojmë se raundi i radhës do të jetë i suksesshëm sepse mendojmë se është i rëndësishëm, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe shkëputjen nga e kaluara”, tha Nulland.

Sipas saj, vetëm përmes një marrëveshjeje palët mund të lëvizin përpara në aspektin demokratik, ekonomik dhe atë të integrimit evropian.

Top Channel