Të martën, zhvillohet në Bruksel raundi i tetë i dialogut mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

I cilësuar, nga ndërmjetësuesja e Bashkimit Europian, që nga raundi i kaluar, si takimi përmbyllës për çështjen e veriut, një ditë para Catherine Ashton lëshoi mesazhet inkurajuese të radhës për kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

“Besoj se marrëveshja është e arritshme, megjithëse nuk do të jetë e lehtë. Por, në nisje të gjithë e dinim se do të ishte e vështirë dhe se do të kërkonte lidership të fortë politik. Besoj se nesër ata do të vijnë në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje, në interesin më të mirë të njerëzve që përfaqësojnë dhe për të ndihmuar në ofrimin e një të ardhmeje më të mirë, për të gjithë ata. Ne nuk duhet të lejojmë të na ikë ky shans”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton, PLPJS në BE.

Gjashtë muaj nga nisja e takimeve, në nivelin më të lartë, dhe dy javë para raporteve të pranverës nga Komisioni, palëve iu kërkohet të arrijnë një marrëveshje mbi kompetencat dhe funksionimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, në Kosovë. Takimi i të martës pritet të nisë rreth orës 10 paradite dhe nuk dihet ende se sa do të zgjasë.

Shtetet e Bashkuara presin rezultate pozitive

Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Këtë deklaratë e ka bërë zëdhënësja e Departmentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, në lidhje me takimin mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

“Siç e dini, ne kemi qenë jashtëzakonisht mbështetës të gjithë proçesit të bisedimeve që ka udhëhequr Përfaqësuesja e Lartë e BE-së”, ka thënë Nulland.

Ajo ka kujtuar edhe vizitën e përbashkët të Hillary Clinton dhe Catherine Ashton në Prishtinë në fund të tetorit të kaluar, ku shprehu hapur mbështetjen për proçesin e bisedimeve.

“Pra, ne mbështesim vazhdimin e këtij dialogu. Ne shpresojmë se raundi i radhës do të jetë i suksesshëm sepse mendojmë se është i rëndësishëm, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe shkëputjen nga e kaluara”, ka thënë Nulland.

Sipas saj, vetëm përmes një marrëveshjeje palët mund të lëvizin përpara në aspektin demokratik, ekonomik dhe atë të integrimit evropian.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel